Në prag të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka publikuar librin “Misioni im”
“Në ftesën publike për të votuar kandidaturën e tij për kryeministër dhe për të sjellë ndryshimin në Shqipëri, Lulzim Basha sjell këtë letër të hapur drejtuar gjithë shqiptarëve. Në të qasjet e tij personale mbi jetën politike në vend dhe zhvillimet e opozitarizmit nën drejtimin e tij; lidhjet e tij familjare e personale dhe historikun e përfshirjes së tij në politikën aktive në vend; tezat mbi gjendjen e ekonomisë sot dhe mënyrën për të dalë nga kolapsi; nevojën akute për të shmangur instalimin e një diktature përmes uzurpimit të institucioneve më të rëndësishme shtetërore, kërcënimit të medias, mercenarizimit të administratës dhe formave të tjera të presionit politik; idetë mbi ndryshimin e sjelljes politike e të kthimit të mjedisit politik e publik në qetësinë dhe normalitetin europian; thirrjen për të bashkuar ëndrrat dhe dëshirat e çdo shqiptari për një rimëkëmbje të vërtetë kombëtare: ekonomike, kulturore, shpirtërore, me po atë forcën ndryshuese që shpesh shqiptarët kanë treguar se dinë të bëjnë”, thuhet në pasthënien e librit të Bashës që pritet të hidhet ne treg ditën e martë
Libri është i ndarë në dhjetë kapituj dhe ky botim ka në total 100 faqe.
Kreu i PD-së ka trajtuar përjetimet e tij “politika për mua”, “Partia Demokratike dje, sot dhe nesër”, “Partia më e bukur e Lindjes”, duke vijuar me “Rithemelimin e opozitarizmit” etj…
Ndërkohë në media janë publikuar edhe pjesë të këtij libri…
KAPTITULLI
POLITIKA PËR MUA
(Basha rrëfen episode nga viti 1984, kur ishte 10 vjeç dhe daja e ftoi të dëgjonin fshehurazi “Zërin e Amerikës”)
Kur kthehem pas në kohë për të gjetur ngjarjen apo momentin kur kam folur apo kam menduar për herë të parë për politikën, ndal në një mbrëmje të vitit 1984, kur daja im më ftoi të dëgjonim fshehur “Zërin e Amerikës”. Ishin lajmet e orës 18:00. “Qeveria e Tiranës…”, u dëgjua zëri kumbues i Elez Biberajt, dhe pastaj vijoi një edicion i plotë lajmesh në një botë që as e njihja dhe as e përfytyroja, e cila më dilte plotësisht jashtë kornizave të ditës sime. Isha 10 vjeç.
Këtë emision e pasuan biseda zëulta me dajën tim dhe rrethin familjar në kushte të besueshme, biseda të cilat formësuan tek unë një adoleshent në fund të viteve 80-të, idetë e para për politikën. Megjithëse isha fare i vogël, dy gjëra i mbaj mend akoma edhe sot. E para, atmosfera familjare e cila ishte tejet e kujdesshme që këto biseda të ishin sekrete dhe mos të dilnin jashtë mureve të familjes, a thua se ajo që po flisnin ishte krim.
Dhe e dyta, kuptova se sa e rëndësishme ishte politika për familjen tonë dhe për jetën e njerëzve në përgjithësi.
Është e qartë se formimi im politik, koncepti që kam për vlerat në të cilat besoj, janë ato të së djathtës. Ishte një formim pothuajse i përcaktuar. Në kushtet e një familje me gjyshërit të ardhur nga Kosova, ku gjithnjë kishte një simpati për Perëndimin, edhe qasja ime politike do të ndikohej nga kultura dhe vlerat e trashëguara nga familja.
Kulturë, e cila çmonte dhe besonte te liria, fjala e lirë, dashuria për atdheun dhe besimi në Zot. Jo vetëm që i besonte, por, edhe pse në kushte shtrëngimi, mundej që t’i ruante të gjalla çdo ditë dhe t’i kultivonte ndër breza. Si sot më kujtohet gjyshja që agjëronte dhe falej fshehurazi. Fryt i kësaj tradite janë vlerat që më kanë shoqëruar gjithë jetën dhe kanë formuar personin tim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje