Të hënën ajo u prezantua si botuese e “Skanderbeg Book”, pas daljes në treg nga kjo shtëpi botuese e librit të parë të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha; “Misioni im”.
Duke sqaruar ndër fjalë se libri po shtypej para se ajo të ishte në listën e kandidatëve për deputet të PD-së, Flutura Açka nuk iu shmang as garës elektorale.
“…Ne nuk jemi armiq, ne të gjithë bashkë jemi vetëm për një gjë: Ta kthejmë më në fund timonin sepse na ka shkuar Shqipëria në drejtim të paditur. Dhe ky libër është një kërkesë pikërisht për këtë gjë: Hajde ta kthejmë Shqipërinë në normalitet. Po të citoj një mikun tim opinionist që thoshte “ Hajde të mblidhemi qelbësira dhe të heqim Sali Berishën”, unë them hajde të mblidhemi 5 njerëz, 10 njerëz, 100 njerëz të mençur dhe ta kthejmë Shqipërinë në binarë të vërtetë. Kaq…”, tha shkrimtarja Açka. Duke nënvizuar faktin se Basha mund të përfshinte në librin e tij më shumë nga jeta personale, Açka vlerëson mënyrën se si Basha e ka trajtuar opozitarizmin.
“Trajtimi që ju premtoni se do t’i bëni opozitës. Ka shumë rëndësi. Opozita është pjesë e demokracisë, nuk mund ta fyesh. Nuk ka të drejtë askush që është në pushtet ta bëjë. As zoti Basha nesër pasnesër nuk ka të drejtë ta bëjë politike. Opozita është pjesë shumë e fortë e demokracisë që na mëson ne ku i kemi gabimet për t’i bërë punët më mirë. Kështu që ju komplimentoj pikërisht për këtë gjë se kjo është një frymë evropiane që ne na duhet ta çimentojmë, jo ta sjellim, ta çimentojmë më në fund në Shqipëri…”, vërejti ajo.
Ndërsa në fjalën e gjatë të tij, Basha tha për herë të parë se ai kish dashur të shkruante që në moshe të hershme
“Do isha i pa sinqertë t’ju thoja që nuk e kam menduar, në fakt e kam menduar që 10 vjeç. Dëshira e parë ka qenë të shkruaja dhe ky frymëzim vinte edhe nga anëtarë të rrethit të ngushtë familjarë që janë shkrimtarë apo ishin shkrimtarë sepse janë ndarë nga jeta dhe dashuria ime për letërsinë, për librin është…daton që nga fëmijëria e hershme, në mendimin e parë duhet ta kem lexuar diku në moshën pesë apo gjashtë vjeç dhe bashkë me të mu hap një botë e tërë e cila ma ngacmonte dhe ma ngacmon fantazinë, imagjinatën si asnjë art tjetër i lëvruar. Shpeshherë debatoj me miq, apo debatonim se gjerat kanë ndryshuar tani me angazhimin politik, nëse një pjesë teatrale apo realizim kinematografik do të arrij ndonjëherë të përmbush nivelet e letërsisë dhe me ndonjë përjashtim të rrallë të gjithë biem dakord që libri është gjithmonë superior…”.
Basha tha se libri i tij është një letër e hapur në thelb.
‘Nuk është një rrëfim autobiografik siç e tha Flutura me të drejtë ndoshta mund të kishte qenë edhe më i pasur me detaje personale. Ndonëse në këndvështrimin tim edhe natyrën time, ka goxha bile në një moment tjetër do thoja ka më shumë se ç’ duhet duke patur parasysh natyrën time. Por nuk është një rrëfim autobiografik, nuk është as thjeshtë një përkthim i programit tonë politik, i planit tonë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza sepse edhe për faktin e thjeshtë se libri ka nisur përpara nxehjes së motorëve elektoral por është një letër e hapur drejtuar shqiptarëve, në veçanti rinisë për një angazhim të drejtpërdrejtë në politikë, për një pjesëmarrje në publiken në jetën publike si rruga e vetme për të siguruar ndryshimin, si rruga e vetme për të siguruar atë që duam…”.
Basha e tha disa herë se libri është shkruar prej tij, se ai kujtonte shumëcka nga vitet e para të pluralizmit, si ai kujtonte orë për orë zgjedhjet e 22 Marsit të 92-it që sollën për herë të parë PD-në në pushtet e deri tek përjetimet dhe arsyet personale se pse ai u angazhua në politikë.
“Mbaj mend diçka që në fakt edhe mund ta kisha shkruajtur në këtë libër por se kam shkruajtur, po, po e ndaj sot me ju.
Kemi qenë bashkë me disa shokë të gjimnazit dhe bashkë me atë që më vonë u bë bashkëshortja ime, me Aurelën dhe një moment ndërkohë që njerëzit brohorisnin iu përlotën sytë. I thashë çfarë ke, njerëzit po gëzojnë, çfarë ke kemi fituar. Kam frikë tha dhe na u kujtua ’91-shi, ngjarjet e ’91-it, ku pas fitores te PPSH-së pati turbullira, pati viktima mes tyre të rinj. I thashë çfarë frike, kjo ka mbaruar, fituam. Jo, jo tha, kam frikë nga gjithë ky gëzim i njerëzve. Thashë pse ke frikë nga ky gëzim i njerëzve. Kam frikë tha sepse kam frikë mos zhgënjehem. Më ka mbetur në mendje kjo thënia dhe më ushtoi nga brenda si një thirrje që s’më la asnjëherë në subkoshiencë.
Më është kujtuar kur përfunduam librin, kur libri ishte gati dhe e çuam për print më është kujtuar dhe e ndava me të, i thashë të kujtohet kjo, mbeti dhe tha po më kujtohet si ka mundësi e mban mend diçka që ka ndodhur kaq kohë përpara. E mbaj mend i thashë sepse është ndoshta një nga motivet që më shtyu të përfshihesha, mos ti zhgënjenim më njerëzit, të bënim gjithçka që shpresat e tyre për një jetë normale, për një Shqipëri normale, për një Shqipëri Europiane, të mos zhgënjeheshin. Dhe ky ka qenë motivi kryesor i futjes në politikë…”, kujtoi Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)






Lini një Përgjigje