Bota

Mali i Zi, Qeveria zvogëlon territorin e Tuzit, Gjeloshaj: Antishqiptare

Qeveria e Malit të Zi ka ndërhyrë në hartën e ndarjes administrative të komunave, duke i hequr territor Komunës shqiptare të Tuzit për t’ja kaluar atë asaj të Podgoricës.

Vendimi është denoncuar nga kreu i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, që thotë se ky ndryshim është bërë pa dijeninë e tyre dhe në mënyrë të fshehtë.

“Zdravko Krivokapiq dhe Dritan Abazoviq pas zgjedhjeve në krye të qeverisë së Malit te Zi, ndër hapat e parë që kanë ndërmarrë ishte ndryshimi i kufirit administrativ i Komunës së Tuzit. Gjatë punës së përditshme të sekretariateve tona kemi vërejtur ndryshimin e kufirit tonë (Komuna e Tuzit) në gjeoportal. Kanë ndryshuar territorin tonë ashtu që deponinë e kanë kaluar në territorin e kryeqytetit Podgoricë”, thotë Gjeloshaj.

Gjeloshaj e konsiderone këtë një vendim antishqiptar dhe paralajmëron Qeverinë që të rikthejë kufijtë e vjetër, në të kundërt do të përballet me protesta.

“Do ta kenë Malësinë para Qeverisë, se u kam dhënë një afat. Tani urgjentisht duhet ta ktheni linjën administrative të Komunës sonë ashtu siç është miratuar në Kuvendin e Malit të Zi. Një veprim i këtillë antishqiptar nuk do ta durojmë më, sepse nuk është vetëm kjo, por Qeveria e Malit të Zi e ka bllokuar edhe pagesën e mjeteve për Komunën tonë, mjete këto të cilat na takojnë sipas ligjit”, thotë ai.

Gjeloshaj kërkon ndërhyrjen e reagimin e bashkësisë ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë