64 organizata të shoqërisë civile qortojnë mazhorancën për kalimin në seancën e ditës së martë të 10 ndryshimeve, për të cilat socialistët thanë se rrisin efikastitetin e reformës në drejtësi.
Shoqëria civile mendon se këto ndryshime u kaluan pa transparencë, pa konsultim dhe duke mos respektuar procedurat parlamentare përçojnë një mesazh negativ për sinqeritetin dhe integritetin e aktivitetit parlamentar dhe reformën në drejtësi.
“Shoqëria civile shpreh shqetësimin për procesin e miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë të dhjetë projektligjeve të lidhura me paketën e reformës në drejtësi. Kuvendi ka miratuar në seancën e fundit plenare dhjetë projektligje në shkelje të procedurës sipas neneve 26, 27 dhe 28 të Rregullores së Kuvendit, për zhvillimin e seancave plenare dhe mbledhjeve të komisioneve parlamentare, të cilat kryhen sipas një programi pune të miratuar nga Konferenca e Kryetarëve”, thuhet në deklaratë.
Shoqëria civile shpreh shqetësimin se procesi i ndjekur për shqyrtimin dhe miratimin e këtyre projektligjeve krijon precedent negativ, pasi bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe Rregulloren e Kuvendit, ku ndalohet zbatimi i procedurës së përshpejtuar për ndryshimin e Kodeve dhe ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar.
Gjithashtu, shoqëria civile thotë se edhe procedura dhe shqyrtimi i këtyre ndryshimeve në komisionet parlamentare nuk ka pasur transparencë e konsultim.
“E gjithë procedura e ndjekur, nga Komisioni i Ligjeve deri në miratimin e këtyre projektligjeve në seancë plenare, është kryer në mungesë të transparencës me publikun dhe konsultimit me të gjitha organet e sistemit të drejtësisë dhe shoqërinë civile, si dhe në kushte urgjence, në më pak se 30 ditë nga depozitimi në Kuvend më 25 shkurt 2021. Mungesa e një procesi konsultimi gjithëpërfshirës krijon klimë mosbesimi ndaj kësaj pakete ndryshimesh ligjore të reformës në drejtësi”, thotë shoqëria civile.
Historia e ndryshimeve të shpeshta në legjislacion, të miratuara me urgjencë, ka shfaqur jo pak probleme, sidomos në qëndrueshmërinë afatgjatë të tyre.
Shoqëria civile ka shprehur prej kohësh publikisht nevojën për një analizë të plotë dhe të kujdesshme të ecurisë së reformës në drejtësi, tashmë katër vite pas miratimit të saj. Qëllimi ynë ka qenë dhe mbetet nxitja e zhvillimit cilësor dhe të shpejtë të sistemit të drejtësisë, duke rritur efiçencën e sistemit gjyqësor dhe aksesin e qytetarëve.
Çdo nismë e ndërmarrë për këtë qëllim duhet të vijë në përputhje me standardet e duhura të proceseve ligjbërëse, në transparencë dhe konsultim të plotë, për të garantuar rritjen e besimit të publikut ndaj sistemit të drejtësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje