Politike

PS ndryshon 10 ligje që lidhen me reformën në drejtësi

Kuvendi miratoi jashtë rendit të ditës ndryshimet në dhjetë ligje që lidhen drejtpërdrejtë, ose tërthorazi me reformën në drejtësi.

Ndryshimet në ligjet në fjalë janë shqyrtuar prej muajsh në komisionet parlamentare, por në rendin e ditës të seancës së kësaj të marte nuk ishin përfshirë.

Ato u futën me ndërhyrjen dhe kërkesën e kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

“Ndryshimet janë diskutuar dhe miratuar me konsensus dhe ato rrisin efikasitetin dhe ecjen përpara të reformës në drejtësi”, tha Balla.

Ndryshimet heqin detyrimin për seanca publike në Gjykatën e Lartë, si një masë që synon të nxisë përshpejtimin e trajtimit të çështjeve të prapambetura, stoku i të cilave përllogaritet në rreth 40 mijë.

Me të njëjtin synim është bërë edhe ndërhyrja për të reduktuar numrin e gjyqtarëve të një trupe nga tre në një në gjykatat e apelit, si dhe rritja e moshës së daljes në pension për gjyqtarët dhe prokurorët në 70 vjeç, gjithmonë nëse vetë gjyqtarët dhe prokurorët e pranojnë.

Gjithashtu, për të shmangur mbingarkesën në Prokurorinë e Posaçme është hequr nga kompetenca e kësaj të fundit hetimi i akuzave për korrupsion me vlerën poshtë 50 mijë lekëve. Këto raste i kalojnë prokurorive të rretheve.

Seria e ndryshimeve vazhdon edhe me rritjen e pagave për magjistratët.

Fatmir Xhafaj, Etilda Gjonaj dhe Taulant Balla mbrojtën ndryshimet me arsyetimin se ato do të rrisin efektshmërinë e sistemit të drejtësisë dhe çojnë në një hap tjetër reformën në drejtësi, që ndajnë bindjen se është në rrugën e duhur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë