Politike

Rama: Mirënjohës “patronazhistëve”, nga të dhënat e tyre marrim 74-78 mandate

Kryeministri Edi Rama reagoi në një takim me të rinj në Durrës për “patronazhistët” e PS që disponojnë të dhënat personale të votuesve të Tiranës.

Rama i cilësoi njerëz që punojnë për fitoren e PS duke shprehur madje mirënjohjen ndaj tyre.  

“Sot ata që nuk e dinë se çfarë pune, çfarë angazhimi të padukshëm ka brenda PS, kanë zbuluar fjalën patronazhist, dhe e sjellin vërdallë e vërdallë, duke e deformuar kuptimin e saj.

Për faktin se ata nuk e dinë se PS, është një familje ku të angazhuarit brenda familjes punojnë. Punojnë vullnetarisht, pas pune, pas shkolle, punojnë duke marrë nga koha e tyre e lirë për të mbuluar territorin shpirtëror të këtij vendi.

Për të pasur komunikim të drejtpërdrejtë me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Sepse beteja e përditshme e PS është beteja për të fituar mendjet dhe zemrat e njerëzve. Pastaj çuditen, sepse shkojnë dhe zbresin në fushën e lojës me atë gafurrjen të dikujt që mendon dhe që beson e kujton se i takon fitorja dhe se është i fituar…”, tha Rama. Duke u mbështetur pikërisht në të dhënat e “patronazhistëve” që ndryshe nga sa pretendon Rama,  shumëkush prej nesh as nuk i njeh fare, kryeministri tha se fitorja është e sigurt.

“Kur hyn në fushën e lojës me ne, fillojnë dhe kuptojnë që nuk është kaq e lehtë. Kur bie bilbili dhe shohin rezultatin është 74 deri ne 78. Natyrisht për gjerat që kemi bërë, për besimin, dhe bindjen e shumicës së shqiptarëve se PS është e vetmja forcë që çon në majë vendin, edhe për faktin se PS nuk është Edi Rama, apo disa ministra apo disa deputetë që për shkak të detyrës dhe pozicionit janë të ekspozuar në sytë e njerëzve. PS është një rrjet i organizuar mendjesh dhe zemrash që janë në të gjithë Shqipërinë”.

“Rezultati për PS, për të cilin sot e shihni dhe hapin sytë kur unë ua them në ballafaqimet mediatike është rezultati i angazhimit të secilit prej jush, nga veriu në jug, nga linda në perëndim. Për këtë unë ju jam, të gjithë mirënjohës, të gjithë patronazhistëve, aktivistëve të PS. Pasi fitorja jonë, është një fitore që krijohet nga puna dhe angazhimi i tyre. Ju bëj thirrje që mos lini asnjë derë pa trokitur”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë