Futboll

UEFA zyrtarizon Championsin e ri, Ceferin akuzon hapur Anjelin: Njeri fals!

Indinjata është e madhe nga faktorë të ndryshëm të futbollit europian, të gjithë kundër Super Ligës dhe lakmisë së klubeve të pasura për më shumë para. Në Angli e kanë quajtur një akt kriminal kundër tifozëve turneun e ri, madje shumë figura të njohura kanë dalë hapur kundër klubeve të tyre, siç është rasti i Geri Nevill dhe Rio Ferdinand. Premier Liga është gati të përjashtojë 6 klubet që aderojnë në Super Ligë dhe për këtë do të ketë një mbledhje të veçantë.

UEFA ndërkohë ka konfirmuar sot formatin e ri të Ligës së Kampionëve, që do të zgjerohet në 36 skuadra, duke filluar nga viti 2024. Është kjo ajo që kanë kërkuar më parë disa nga klubet e njohura, mes tyre gjigantët gjermanë të Bajern Mynih dhe Borusia Dortmund. Formula e re parashikon ndeshje në një grup të vetëm dhe lë të hapur mundësinë e “final four”. Detajet do të saktësohen brenda dhjetorit të këtij viti.

Trofeu i Ligës së Kampionëve. Gazeta Si, 19 prill 2021

Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s tani i ka dalë një tjetër punë, që ka të bëjë me Super Ligën e krijuar nga 12 top-club-et. Pjesëtarë të këtij institucioni kanë kërkuar marrjen e masave të menjëhershme, deri në përjashtimin e tyre nga Championsi aktual dhe nga kampionatet kombëtare.

Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, ka sulmuar presidentin e ECA-s dhe të Juventusit, Andrea Anjelin, duke e quajtur një njeri fals. “Folëm të shtunën dhe më tha se zërat që qarkullonin për krijimin e Super Ligës ishin vetëm zëra. Më pas mbylli telefonin. Nuk kam parë kurrë më parë një njeri kaq fals. Ishte një zhgënjim shumë i madh”, – ka thënë Ceferin për drejtuesin e lartë italian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë