Politike

Zëri i parë që kërkon dorëheqjen e Bashës, Kadilli shpall kandidaturën: Modeli i tij shteroi

Fatbardh Kadilli është zëri i parë nga brenda Partisë Demokratike që bën përgjegjës Lulzim Bashën për humbjen në zgjedhjet e fundit, kërkon dorëheqjen e tij dhe shpall vetë kandidaturën për të drejtuar PD-në.

Ne duhet ta pranojmë se nuk kishim një propozim fitues për Shqipërinë. Alternativa jonë ishte vetëm kryetari i partisë, që u dëshmua përsëri e pamjaftueshme. Duke ndjerë keqardhje dhe solidarizim të plotë me sakrificën e demokratëve dhe strukturave të partisë gjatë një opozite 8 vjeçare, jo pak here edhe të pabusull, kërkoj largimin e menjëhershëm nga funksionet drejtuese dhe dorëheqjen e Lulzim Bashës”, thotë Kadilli.

Anëtari i Kryesisë së PD-së thotë se për humbjen nuk mund të fajësohet as kundërshtari dhe as qytetarët, por vetëm Lulzim Basha dhe modeli i ofruar prej tij, që sipas Kadillit është model i shteruar.

“Partia jonë dështoi në krijimin e mekanizmave dhe të besimit popullor për t’u përballur me të keqen. Me makinerinë propagandistike, financiare dhe abuzuese të pushtetit. Ne nuk arritëm ta frymëzojmë mbështetjen e gjerë opozitare, dhe as elektoratin gri, për t’i dhënë votës forcën dhe vlerën që ka në demokraci. Ne nuk arritëm që të kapërcenim presionin, blerjet, makinacionet, joshjet dhe hilet e sistemit të ngritur nga ky pushtet. Ne nuk arritëm ta kthenim në frymë ndryshimi zhgënjimin popullor”, vijoj më tej Kadilli.

Ish-deputeti thotë se me aktin e dorëheqjes Basha merr përsipër përgjegjësitë dhe respekton një standard të vendosur nga Sali Berisha, ndërsa shpall kandidaturën për të pasuar Bashën në këtë post.

“I bëj thirrje Kryesisë të mblidhet sa më shpejt dhe të përcaktojë modalitetet e garës për lidershipin e ri. Nuk kemi kohë për të humbur. Përpara shqiptarëve kemi misionin për një opozitë të re! Gjithashtu, shpall sot kandidimin për detyrën e Kryetarit të Partisë Demokratike”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë