Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha foli vetëm 9 minuta, për të paralajmëruar shumëçka (që ai nuk tha drejtpërdrejt) se Partia Demokratike nuk do të njohë zgjedhjet.
Ai u prit gjatë nga mbështetës që kishin mbushur oborrin e selisë së PD-së.
Pas një mbledhje me drejtuesit politik te qarqeve për zgjedhjet, Basha mbajti një fjalim të thatë, por domethënës për rrugën që do të marrë PD-ja ditët në vijim; që është beteja ligjore për këto zgjedhje.
Basha nuk pranoi humbjen, nuk foli për përgjegjësi, nuk mbajti qëndrim të qartë prej kryetari, tha nder radhe se PD-ja fitoi, porse këto zgjedhje sipas tij ishin “masakër elektorale”
“…Teksa muzgu i kësaj mbrëmje po bie mbi qytetet dhe fshatrat tona, mbi malet dhe luginat e Shqipërisë, një tjetër hije po avitet në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve anembanë këtij vendi dhe kudo ku ndodhen.
A është ky muzgu i shpresës dhe ëndrrës për ndryshim, për Shqipërinë demokratike normale dhe të zhvilluar, për Shqipërinë Europiane.
Kemi shumë vite që luftojmë për demokracinë
U deshën shumë vite që të rrëzonim regjimin komunist, por ne ja dolëm. Ia dolëm sepse jemi njerëz të fortë, jemi një popull që beson tek demokracia.
Beteja jonë për demokraci ka vijuar pandërprerë çdo çast, çdo ditë, anembanë Shqipërisë.
Edhe këto muaj, ne luftuam për demokracinë.
Unë besova se falë fuqisë së mrekullueshme të popullit tonë ne do fitonim dhe do ti kthenim Shqipërisë demokracinë.
Por këtë herë kjo nuk mjaftoi.
Nuk mjaftoi sepse këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë”, tha Basha.
Më tej ai shtoi: “Ne hymë në këtë betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale.
Ata ndryshuan Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor duke thyer të gjithë rregullat.
Dhjetëra mijëra vota të pavlefshme, numri më i madh ndonjëherë dhe dy herë më shumë sesa diferenca mes dy palëve.
Miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe industriale të votës duke shkaktuar deformimin më të madh të vullnetit të zgjedhësve.
Ata përdorën milionat e koncesioneve të korruptuara, vodhën të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë, përdorën kriminelët dhe bandat, kërcënuan dhe shantazhuan votuesit, administratën, gazetarët dhe median duke e bërë edhe më të madhe masakrën elektorale”, tha Basha.
“Edi Rama ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë hapur me përfaqësues të krimit si Tom Doshi që kanë gjithë botën demokratike kundër. Ai kandidoi përsëri përfaqësuesit e krimit në listat e tij.
Dhe pavarësisht gjithë kësaj – ne sollëm një arritje të madhe për demokracinë në Shqipëri. Ne u bëmë më të fortë.
Ne jemi më të vendosur se kurrë. Kushdo që mendon se ne do të dorëzohemi – nuk na njeh mirë! Ne do të vazhdojmë betejën me gjithë fuqinë tonë. Ne do vazhdojmë të luftojmë me gjithçka kemi për demokracinë.
Do vazhdojmë të luftojmë deri në fitore, sepse misioni ynë është më i madh se të gjithë ne. Po u dorëzuam ne, Shqipëria s’ka më asnjë mundësi.
Dhe kjo nuk do të ndodhë kurrë. Dhe ju premtoj sot: nuk do t’u zhgënjejmë kurrë Ne do luftojmë për ju! Do luftojmë për qindra mijëra qytetarë që votuan për ne dhe për ata të cilëve nuk ju numërua vota. Zëri juaj do të dëgjohet qartë dhe fort. Kjo është përgjegjësia ime, është detyrimi që kam para jush dhe para Shqipërisë.
Ne jemi më të fortë dhe më të vendosur se kurrë.
Dhe të fortë, ne do luftojmë çdo ditë,
Ne do të luftojmë çdo orë,
Beteja sapo ka filluar dhe ne do ta çojmë atë deri në fund, deri në fitore!
Demokracia do të fitojë dhe Shqipëria do të fitojë”, tha Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje