Bota

Avioni nga India në Itali me 23 të infektuar me Covid. SHBA: Largohuni nga vendi!

Aeroplani nga India me 213 pasagjerë dhe 10 anëtarë të ekuipazhit, i cili zbarkoi të mërkurën në aeroportin e Fiumicinos, iu nënshtrua një kontrolli masiv anti-Covid.

Testimet përfunduan në orën 21:15 dhe rezultatet flasin për një grup që rezultuan 9% pozitiv në bordin e avionit, me 23 pasagjerë të infektuar.

Të gjithë u futën në karantinë dhe u dërguan në një hotel që përdoret për personat e infektuar me Covid me mjete të ushtrisë.

“Falë njësive shëndetësore të Rajonit Lazio, Mbrojtjes Civile dhe Forcave të Policisë, të cilët punuan natën vonë për të testuar 213 pasagjerë që zbarkuan në Fiumicino nga India, u identifikuan një përqindje pozitive në bord prej 9%”, – njofton guvernatori i Lazio-s, Nicola Zingaretti në Fb.

Menjëherë, ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, ka bllokuar fluturimet me Indinë, për të parandaluar hyrjen e këtij varianti të rrezikshëm të koronavirusit që është përhapur në rreth 17 vende të botës.

Por nga ana tjetër, Europa duhet të aktivizojë veprime të koordinuara për të shmangur nisjen e një vale të re me Covid në prag të sezonit veror.

Në 24 orët e fundit, India ka regjistruar 361 mijë raste të reja me Covid, shifra më e lartë ndonjëherë e infektimeve në botë që nga nisja e pandemisë marsin e shkuar.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë këshilluar shtetasit e tyre në Indi të largohen sa më shpejt që të jenë të sigurt pas rekordit të rasteve me koronavirus.

Një shënim në faqen e internetit të ambasadës amerikane në Nju Delhi, paralajmëron se “aksesi në të gjitha llojet e kujdesit mjekësor është gjithnjë e më i kufizuar në Indi, për shkak të rritjes së rasteve me Covid-19”, duke nënvizuar se vdekjet janë rritur ndjeshëm.

“Qytetarët e SHBA-ve që dëshirojnë të largohen nga India, duhet të përfitojnë nga opsionet e transportit komercial të disponueshëm tani”, – thuhet në komunikatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë