Komunitet

Anketa, 90% e të rinjve në Shqipëri vuajnë nga stresi dhe depresioni

90 përqind e të rinjve në Shqipëri vuajnë nga stresi dhe depresioni, gjë që përbën edhe problematikën kryesore në lidhje me shëndetin e moshës së re në vend.

Kjo është ajo çfarë vetë të rinjtë pohojnë në një anketë të realizuar së fundmi nga Rrjeti Kombëtar për Rininë në Shqipëri me të rinj në të 12 qarqet e vendit.
Një problematikë tjetër e shëndetit të të rinjve në vend është edhe bullizmi offline/online prej të cilit vuajnë 76.8 përqind e të rinjve, ndërkohë që shqetësuese është edhe dhuna në familje prej së cilës janë të prekur 54.5 përqind e të rinjve.

Dhuna në forma të ndryshme është gjithashtu shumë shqetësuese për të rinjtë, sidomos ajo seksuale, një problem i 42.2 përqind të të rinjve. Ndërsa 29.9 përqind e të rinjve vuajnë nga dhuna në komunitet/politikë, ndërsa 29.4 përqind kanë probleme të shëndetit fizik.

Por cilat janë problemet që shqetësojnë të rinjtë shqiptarë dhe që çojnë në stres dhe depresion ata?

Sipas 70 përqind të të rinjve, papunësia është problemi kryesor, ndërkohë që problem është edhe mbështetja institucionale për fuqizimin e të rinjve, por edhe arsimimi dhe largimi i të rinjve jashtë vendit, si dhe varfëria.

81. 4 përqind e të anketuarve shprehen se qeveria shqiptare nuk ka bërë asgjë për të ulur nivelin nivelin e papunësisë së të rinjve.

Por cilat janë disa prej shkaqeve kryesore që shkaktojnë papunësinë e të rinjve në Shqipëri?!

Sipas anketës, arsyeja kryesore që shkakton papunësinë e të rinjve është mungesa e programeve mbështetëse për punësimin part-time të studentëve dhe të rinjve që sapo kanë mbaruar studimet (68.1 përqind).

Arsye tjetër është mungesa e një analize të mirëfilltë mbi Tregun e Punës së të rinjve në vend (55.2 përqind).

Po ashtu, sipas të rinjve, në rritjen e papunësisë ndikon edhe mungesa e kuotave të punësimit për të rinjtë në institucionet publike (45.7 përqind).

Shumë prej të rinjve mendojnë se është i rëndësishëm prania e një Programi për Praktikat Profesionale për të rinjtë të diplomuar në shkollat profesionale dhe mungesën e tij e lidhin me rritjen e papunësisë (37.1 përqind).

Të tjera shkaqe, që lidhen me papunësinë janë edhe: mungesa e lehtësirave fiskale dhe politikave mbështetëse për bizneset private të cilët punësojnë të rinjtë (32.4 përqind), mungesa e një informimi periodik nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, Zyrat e Punës, institucioneve të pushtetit lokal dhe qendror, si dhe bizneseve (30 përqind), mungesa e politikave subvencionuese për sipërmarrjet ekonomike të iniciuara nga vetë të rinjtë (25.7 përqind), mungesa e zhvillimit më të gjerë të turizmit rinor si një mekanizëm për nxitjen e punësimit të të rinjve (23.8 përqind), mungesa e dëshirës së institucioneve dhe qeverisë përkatëse (0.5 përqind) dhe mungesa e bashkëpunimit mes institucioneve arsimore dhe bizneseve private për të menaxhuar çështjet e papunësisë së të rinjve (0.5 përiqnd).

Shqipëria numëron rreth 662 000 të rinj dhe të reja të grupmoshës 15-29 vjeç, duke përfaqësuar gati një të tretën  e të gjithë popullsisë. Në Shqipëri, konsiderohet “i ri/e re” të gjithë personat ndërmjet moshës 15 dhe 29 vjeç.

Krahasuar me vendet e tjera të Europës që shpesh vuajnë moshën mesatare të lartë, Shqipëria vijon të mbetet një vend me moshë mesatare relativisht të re. Por politika e vendit tonë, ende është shumë larg “miqësisë” dhe vendimarrjeve e politikave të duhura për të zbatuar të drejtat e të rinjve dhe të rejave.

Një studim më i fundit i EUROSTAT, tronditi muaj më parë opinionin publik në Shqipëri, ku bazuar në numrin e ikjeve të të rinjve dhe numrit të lartë të azil-kërkimit drejt vendeve të BE-së, Shqipëria rrezikon të zbrazet në 70 vite. Këto të dhëna statistikore të mbledhura nga burime kombëtare dhe ndërkombëtare janë reflektim i fenomeneve negative, që kanë shoqëruar zhvillimin e vendit, si: varfëria, papunësia, mungesa e mundësive etj. Blerina Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë