92% e të rinjve në Shqipëri e konsiderojnë korrupsionin në vend në nivele tepër të larta, duke konsideruar si fajtorë kryesorë administratën publike shqiptare, ministritë dhe bashkitë.
Rreth 58 % e të rinjve deklarojnë do dolën të votojnë për shkak të kushteve në të cilat ndodhet vendi.
Ndërkohë, migrimi dhe dëshira për t’u larguar në një vend tjetër vijon të mbetet te të rinjtë një prej çështjeve më shqetësuese për ta.
Këto janë rezultatet e një raporti të realizuar së fundi nga Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN).
Anketës Kombëtare e të Rinjve në Shqipëri bën me dije se thuajse 90% e të rinjve që u bënë pjesë e anketës shprehen se dëshirojnë të largohen nga Shqipëria.
Ndërsa përsa i përket partive dhe politikës, të rinjtë janë tërësisht të vetëdijshëm se i përdorin ata vetëm gjatë fushatave elektorale.
Të rinjtë shprehen në anketë se ata i shohin përfaqësuesit e partive vetëm në fushata në masën 56.4%.
Ndërsa 81% e tyre në mbarë vendin, janë shprehur se Qeveria Shqiptare nuk ka bërë asgjë për të reduktuar nivelin e lartë të papunësisë së të rinjve në Shqipëri.
Anketa sjell edhe të tjera rezultate për gjendjen e të rinjve në Shqipëri në lidhje me gjendjen e tyre sociale, arsimore dhe shëndetësore.
Kështu, 90 përqind e të rinjve shprehen se stresi apo depresioni është problematika kryesore në shëndetin e tyre.
91 përqind e të rinjve të anketuar mendojnë se rritja e numrit të veprave penale të kryera nga të rinjtë është shqetësuese dhe 76.3 përqind e tyre mendojnë se varfëria është faktori kryesor që çon në rritjen e kriminalitetit rinor në vend.
Rezultatet e anketës janë bërë të ditura gjatë Forumit të Demokracisë në Tiranë, i mbajtur për herë të parë një javë para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në vend, çoi shqetësimin se situata e përgjithshme politike në vend përgjatë të gjithë fushatës elektorale dhe gjuha e përdorur gjatë saj, përbëjnë një rrezik serioz për proceset demokratike, institucionet e saj dhe vetë demokracinë në Shqipëri.
Pjesë e Forumit ishte edhe një panel dedikuar vetëm situatës të të rinjve në vend dhe prezantimit të Kontratës Kombëtare për Rininë.
Forumi i Demokracisë, që e bën Shqipërinë pjesë të të gjitha kryeqyteteve të botës, ku forume të tilla janë ngjarje të përvitshme shoqërore, u organizua nga CRCA/ECPAT Shqipëri në bashkëpunim të ngushtë me Shtëpinë e të Drejtave të Njeriut, Rrjetin Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri-ANYN dhe Koalicionin për Arsimin.
Forumi solli së bashku akademikë, publicistë, shoqërinë civile, gazetarë, ambasadorë dhe të rinj, për të diskutuar mbi gjendjen e sistemit demokratik në vend dhe sesi zgjedhet parlamentare dhe fushata elektorale mund të ndikojnë në forcimin apo goditjen e saj. Zgjedhjet Parlamentare të 25 Prillit, renditen si ndër më të rëndësishmet për Shqipërinë, pasi nëse ato klasifikohen si demokratike dhe të pakontestueshme, do t’i krijojnë hapësirat drejt rrugës së hapjes së negociatave të Bashkimit Europian me vendin tonë.
“Në Shqipëri demokracia është e sulmuar nga elitat politike dhe ekonomike, duke e vendosur vendin në një pikëpyetje të madhe: Po nëse zgjedhjet nuk i plotësojnë standardet demokratike, pra nuk janë të lira e të ndershme, çfarë do të ndodhë? Kush është kursi që do të marr vendi? A do të jemi më kërkues të anëtarësisë për në BE apo do të kërkojmë miq e mbështetës diku gjetkë?” – tha Altin Hazizaj, moderator dhe bashkëorganizator i Forumit.
Forumi gjithashtu diskutoi mbi situatën e vështirë të medias në Shqipëri, duke ngritur shqetësimin në lidhje me sulmet e vazhdueshme ndaj mediave dhe gazetarëve që çojnë pikëpyetje mbi punën e Qeverisë apo zyrtarëve të saj.
Rezulatet e Anketës së të Rinjve janë përfshirë në “Kontratën Rinore Kombëtare”, që ka si qëllim të paraqesë kërkesat, pritshmëritë dhe zërin e të rinjve te partitë poitike në zgjedhje, politikanët dhe vendimarrësit kudo në Shqipëri!
Kontrata Kombëtare Rinore tashmë është kthyer në një traditë, pasi fokusohet në informimin dhe avokimin me partitë politike dhe të zgjedhurit në Kuvend, për të adresuar sa më drejtë në programet e tyre, jo vetëm problemet e të rinjve, por edhe zgjidhjet e propozuara prej tyre. B.Goce
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje