Politike

Loja me afatet mes Presidencës dhe Kuvendit; Meta do datën 10, Ligjet e ftojnë të enjten

Presidenca dhe Kuvendi po luajnë me afatet, e para në përpjekje për të minuar nismën e mazhorancës për ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës dhe i dyti për ngritjen e këtij Komisioni.

Kuvendi ka kohë deri më 9 maj për të ngritur këtë Komision, që duhet të miratohet në seancë plenare. Seanca është përcaktuar që të mbahet ditën e premte, më datë 7 maj, kur do të kalojë për votim propozimi i Komisionit të Ligjeve për ngritjen ose jo të Komisionit Hetimor “Meta 2”.

Mbledhja e parë e Komisionit të Ligjeve u zhvillua këtë të mërkurë. Rregullorja e detyron këtë Komision që të dëgjojë argumentat e Presidentit. Mbledhja nisi me njoftimin e dhënë nga kreu i këtij Komisioni, Ulsi Manja që tha se Presidenca i kishte dorëzuar një letër, ku Presidenti Ilir Meta ishte shprehur i gatshëm që të paraqitej te ky Komision në datën 10 maj, që sipas Presidencës përkon me Ditën e Drejtësisë Shqiptare.

Por, 10 maji shkon përtej afateve të lejuara nga ligji për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore parlamentare. Ligji ndalon ngritjen e tyre 4 muaj para përfundimit të mandatit të një Kuvendi dhe mandati i këtij Kuvendi përfundon më 9 shtator, që do të thotë se komisione hetimore nuk mund të ngrejë pas datës 9 maj.

Duke pasur parasysh këtë afat, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja propozoi që mbledhja e radhës të zhvillohej ditën e enjte (6 maj) dhe në këtë mbledhje të ftohet Presidenti Meta për të dhënë argumentet e tij para Komisionit. Propozimi u miratua nga 12 anëtarë të Komisionit, ndërsa Adriatik Alimadhi nga opozita parlamentare votoi kundër duke deklaruar se koha që i lihej në dispozicion Presidentit ishte e pamjaftueshme.

Meta i përgjigjet Kuvendit: Ilegjitim! Procese fiktive të partisë-shtet për të mbuluar krimet zgjedhore

Presidenti Ilir Meta është vënë në dijeni zyrtarisht për nismën e dytë të Partisë Socialiste për shkarkimin e tij dhe në përgjigjen që i kthen Komisionit të Ligjeve dhe kryetarit të Kuvendit, e cilëson Kuvendin aktual ilegjitim.

“E gjithë veprimtaria parlamentare e Kuvendit, prej më shumë se dy vitesh tashmë, përpiqet të godasë veprimtarinë dhe aktivitetin kushtetues të Presidentit të Republikës, që për një kohë të gjatë ka qënë dhe mbetet i vetmi institucion kushtetues legjitim dhe i pa kapur nga partia në pushtet. Në këto përpjekje të dëshpëruara të këtij Kuvendi ilegjitim, ky i fundit ka vijuar të përfshihet nëpër procese fiktive, të pambështetura në Kushtetutë dhe ligje, por vetëm të orientuara verbërisht politikisht”, thotë Presidenca.

Presidenti e cilëson nismën si përpjekje të radhës që bie në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën dhe që ka një objektiv tjetër nga shkarkimi i Metës.

“Nuk synon asgjë tjetër, veçse shmangien e vëmendjes nga problematikat reale që po evidentohen dita-ditës mbi këtë proces zgjedhor, të shoqëruara me konsumimin ekzemplar masiv të krimeve zgjedhore, të frymëzuara, dirigjuara dhe ekzekutuara nga partia në pushtet, për interesat e saj”, thotë Presidenti.

Sipas Presidencës, Kuvendi vazhdon të keqpërdoret nga Partia Socialiste.

“Keqpërdorim i veprimtarisë ligjvënëse, si një vegël e radhës e partisë shtet për të zbehur vëmendjen nga kërkesat e Presidentit të Republikës, opozitës dhe organizatave ndërkombëtare me integritet, për zbardhjen e veprimeve kriminale të kryera nga partia shtet për manipulimin e procesit zgjedhor të zhvilluar në 25 prill”, vijon reagimi.

Në vend të hetimit të veprimtarisë së Presidentit, Meta e këshillon Kuvendin që të ngrejë një Komision Hetimor për krimet zgjedhore dhe dy episodet e dhunshme që u regjistruan gjatë fushatës, në Kavajë dhe në Elbasan.

“Nëse ju mendoni se jeni të aftë, jeni në kohë dhe keni ndonjë grimcë legjitimiteti, dhe dëshironi të zbardhni vërtet krimet zgjedhore, që disa prej jush aty brenda në Kuvend kanë konsumuar, apo për të hetuar se përse autorët e krimeve zgjedhore nuk u dërguan përpara drejtësisë, atëherë i bëjmë me dije Kuvendit se, mund ta filloni këtë proces me mbledhjen dhe vlerësimin e disa fakteve ulëritëse”, thotë Presidenca.

Gjithsesi, në fund të letrës, Presidenti Ilir Meta ka pranuar që të dalë para Komisionit të Ligjeve dhe ka kërkuar që data për këtë dalje të jetë 10 maji.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë