Komisioni i Ligjeve do të mblidhet këtë të enjte për të vendosur nëse do t’i propozojë Kuvendit në seancë plenare ngritjen e komisionit hetimor ndaj Presidentit Ilir Meta, apo jo.
Mbledhja pritet që të nisë rreth orës 11:00 dhe në të Komisioni ka ftuar që të dëgjojë edhe Presidentin. Por, nga Presidenca kërkuan që Ilir Meta të dalë para këtij Komisioni në datën 10 maj.
Kjo datë shkon përtej datës 9, kur është edhe afati i fundit për këtë Kuvend që të ngrejë komisione hetimore, pasi ligji për organizimin dhe funksionimin e këtyre komisioneve ndalon ngritjen e tyre 4 muaj nga përfundimi i mandatit të Kuvendit.
Gjatë mbrojtjes së kërkesës për shkarkim në mbledhjen e së mërkurës, deputetët socialistë Ervin Bushati dhe Vasilika Hysi thanë se Presidenti ka shkelur qartazi Kushtetutën, ka nxitur përplasjet në fushatë, që kulmuan me vrasjen e Elbasanit dhe është bërë palë me opozitën.
Por, Presidenti e cilëson nismën si përpjekje të radhës që bie në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën dhe që ka një objektiv tjetër nga shkarkimi i Metës.
“Nuk synon asgjë tjetër, veçse shmangien e vëmendjes nga problematikat reale që po evidentohen dita-ditës mbi këtë proces zgjedhor, të shoqëruara me konsumimin ekzemplar masiv të krimeve zgjedhore, të frymëzuara, dirigjuara dhe ekzekutuara nga partia në pushtet, për interesat e saj”, thotë Presidenti.
Sipas Presidencës, Kuvendi vazhdon të keqpërdoret nga Partia Socialiste.
“Keqpërdorim i veprimtarisë ligjvënëse, si një vegël e radhës e partisë shtet për të zbehur vëmendjen nga kërkesat e Presidentit të Republikës, opozitës dhe organizatave ndërkombëtare me integritet, për zbardhjen e veprimeve kriminale të kryera nga partia shtet për manipulimin e procesit zgjedhor të zhvilluar në 25 prill”, vijon reagimi.
Në vend të hetimit të veprimtarisë së Presidentit, Meta e këshillon Kuvendin që të ngrejë një Komision Hetimor për krimet zgjedhore dhe dy episodet e dhunshme që u regjistruan gjatë fushatës, në Kavajë dhe në Elbasan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje