Fjala e Edi Ramës para grupit parlamentar “të vjetër” të Partisë Socialiste relativisht ishte më e shkurtër se daljet e këtij llojit të kryesocialistit, por në rreth 20 minuta aiu përcolli disa porosi e mesazhe për të shkuarën, të tashmen e sidomos të ardhmen, që nga ndryshimi i sjelljes karshi Partisë Demokratike, të domosdoshmëria e shkarkimit të Ilir Metës, hapja dhe riorganizimi i partisë e deri te mesazhi për ata që nuk arritën objektivat më 25 qershor.
Mesazhi kryesor i Ramës lidhej me nevojën për të shkarkuar sa më parë Presidentin Meta, për të cilin Kuvendi aktual ka ngritur tashmë komisionin hetimor. Bashkë me Metën përfshiu edhe mesazhin dërguar për LSI-në.
“Me Ilir Metën dhe partine e tij nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë bashkëpunim. Ai duhet shkarkuar sa më parë si një personifikim i anti-shtetit i ndëshkuar nga shqiptarët më 25 prill. Një personash grotesk që turpëron Shqipërinë me praninë e tij në krye të shtetit. Shkarkimi i ilir Metës nuk është i gjithë në dorën tonë, por të bëjë gjithçka që kemi në dorë për të çminuar institucionin e Presidenti të Republikës duke votuar në bllok shkarkimin e tij dhe se ky shkarkim nuk ka lidhje me asgjë tjetër përveç pozicionit tone publik krah shumicës së popullit, që nuk duan ta shohin më atë si President”, tha ai.
Kryeministri përsëriti se pas kësaj nisme nuk qëndron asnjë interes i socialistëve, ndërsa premtoi se qoftë nëse Meta shkarkohet para përfundimit të mandatit, qoftë pas 24 korrikut 2022, kur i përfundon ky mandat, PS do të konsultohet me PD për emrin e Presidentit të ri.
Porosia tjetër që u la deputetëve aktualë socialistë lidhej me vendimin e pashkruar të marrë pas 25 qershorit për të braktisur llogoren e betejës së ashpër politike me Partinë Demokratike.
“Në aspektin me marrëdhënien me PD-në ky mandat i tretë nuk do t’i ngjajë në asnjë mënyrë 2 të parëve. Sado që ata të mos e pranojnë rezultatin. Ne nuk kemi më një mandat për të luftuar me PD-në, por për të çuar në fund punët e mëdha që kemi nisur dhe për të nisur punët e mëdha që duhen çuar në fund. Do ta tregojmë me sjellje dhe me vepra, që për ne kjo është dekada kur duhet çuar sa më në majë Shqipëria. Sharjeve të tyre ne do t’u përgjigjemi me idetë tona. Kritikave të tyre ne do t’u përgjigjemi me mendje të hapur. Baltës dhe sherrit të padobishëm ne do t’i kthejmë faqen tjetër”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi hapjen e listave, por theksoi gjithashtu se duhen korrigjuar për zgjedhjen e ardhshme “efektet anësore” të hapjes së tyre. “Listat e hapura kanë sjellë përparësi të mëdha, por edhe dëme anësore që duhen analizuar me kujdes për zgjedhjet e ardhshme”, vijoi ai.
Fitorja më 25 prill, sipas Ramës, nuk duhet të vetëkënaqë socialistët, të cilëve u kërkoi që ta nisin që tani punën për të fituar dy sfidat e radhës elektorale, zgjedhjet vendore dhe zgjedhjet e përgjithshme në 2025. Për ata që nuk arritën objektivin në terren më 25 prill mesazhi ishte i qartë. “Duhet që t’i lërë vendin dikujt tjetër”, tha ai.
Më 12 qershor, PS feston 30-vjetorin e themelimit të saj. Rama njoftoi thirrjen e një Kongresi të jashtëzakonshëm për të prezantuar vizionin “Shqipëria 2030”. Ai udhëzoi ngritjen e komisioneve të posaçme në të gjitha qarqet e vendit me mision hapjen dhe ripërtëritjen e partisë.
Qeveria e re “Rama 3” do të ngrihet në shtator, por Rama kërkoi që puna të fillojë që tani për harmonizimin e vizionit “Shqipëria 2030”, ku një pjesë me rëndësi është edhe depolitizimi i administratës publike. Rama paralajmëroi spastrime.
“Do ta pastrojmë administratën nga ata që janë turpi i shtetit, i yni, i vendit. Do të hapet rrugë e mundësi për çdo vajzë e djalë që do punësim…që administrata të çlirohet nga kthetrat e interesave politike dhe që fytyra jonë mos të njolloset në vazhdimësi, për shkak të atyre që përfitojnë nga interesat e këtyre kthetrave politike dhe s’bëjnë asgjë tjetër, veçse shohin xhepin e tyre”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje