Politike

Meta i përgjigjet Ramës: Në Shqipëri, forma më e rëndë e kapjes së shtetit

Edi Rama porositi deputetët e socialistë të Kuvendit aktual që të votojnë në bllok shkarkimin e Ilir Metës. Fill pas kësaj deklarate të kryesocialistit ka ardhur reagimi nga Presidenti. Meta nuk u referohet drejtpërdrejtë deklaratave të Ramës, por përçoi një studim, sipas të cilit, Shqipëria ka nivelin më të lartë të kapjes së shtetit nga interesat private në Ballkanin Perëndimor.

“Studimi i publikuar së fundmi nga Lidershipi për Integritet dhe Zhvillim në Vendet e Europës Juglindore (SELDI) “Për rreziqet e kapjes së shtetit dhe reformat e politikave në Ballkanin Perëndimor 2020” tregon se Shqipëria zë vendin e parë në rajon sa i takon presionit në rritje të kapjes së shtetit nga biznesi”, thotë Presidenti.

Presidenti thotë se sipas këtij studimi, “biznesi dhe institucionet publike në Shqipëri kanë predispozitë të lartë në raport me vendet e tjera të Ballkanit për të përdorur funksionet publike që nga shërbimet, deri të ligjet në favor të interesave të grupeve të caktuara”. Gjithashtu evidentohet se “përdorimi i enteve publike jo vetëm për të përfituar, por edhe si mjet ose armë kundër konkurrentëve është përdorimi më i madh i kapjes së shtetit”.

Meta vijon duke deklaruar se studimi konfirmon shqetësimet e vazhdueshme që ka ngritur prej kohësh si President i vendit.

“Ky studim me konkluzione thellësisht negative konfirmon qëndrimet e vazhdueshme publike, që kam shprehur edhe me dekrete, në mbrojtje të sovranitetit, Kushtetutës, parimit të ndarjes së pushteteve dhe të konkurrencës së lirë. Fenomeni i “korrupsionit legjislativ” është kthyer në mjetin e ri të mbulimit të përfitimeve klienteliste të fondeve dhe pasurisë publike, ku për çdo përfitim të dhuruar, Kuvendi njëpartiak ka miratuar një ligj me porosi, për ta ligjëruar”, thotë ai.

Mesazhi i Metës mbyllet me thirrjen drejtuar të gjithë qytetarëve për t’u angazhuar dhe dhënë fund kapjes së shtetit dhe pandëshkueshmërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë