Politike

PD publikon padinë e parë ndaj Ramës për zgjedhjet: SPAK është në provë

Partia Demokratike ka publikuar përmes Gazment Bardhit padinë e parë drejtuar kryeministrit Edi Rama në SPAK (një muaj më parë) por që vetëm të hënën, PD e artikuloi nomalisht si të kallëzuar.  

“…Prej më shumë se një muaji, Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK kallëzimin penal për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “grupit të strukturuar kriminal” për shtetasit Edi Rama, Frrok Gjini, Niko Ibrahimaj, Ilir Babaj/Baba, Basri Babaj/Baba dhe çdo person tjetër të paidentifikuar nga ana e jonë”, tha Gazment Bardhi.

Foto nga padia e depozituar ne SPAK nga PD

Por cili është roli i Edi Ramës sipas PD-së në qarkun e Shkodrës?

“Basri Babaj/Baba që qarkullonte me makinë të blinduar në Laç, Vau Dejës është ndaluar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër nga vetë drejtori i Policisë së Qarkut Shkodër Niko Ibrahimaj ditën e mërkurë, 3 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

Në makinë janë gjetur, në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri, shuma të mëdha parash që përdoreshin për të blerë vota si dhe materiale zgjedhore dhe lista të banorëve të zonës.

Me ndërhyrjen e kryeministrit Edi Rama, Basri Babaj është lënë i lirë në mesnatën e po asaj dite. Ndërhyrjen e Edi Ramës e ka ndërmjetësuar një telefonatë e Frrok Gjinit, i renditur i pesti në listën e Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës. 

Menjëherë pas lirimit, Edi Rama ka zhvilluar një telefonatë me Ilir Babajn, person me të shkuar kriminale dhe njëkohësisht Drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve Vau i Dejës ku i ka kërkuar atij të punojnë sa më fort për fitoren e Partisë Socialiste”, tha Bardhi.

Ai nënvizoi se, “SPAK është në provë edhe për këtë operacion kriminal të blerjes dhe tjetërsimit të votës, për shkrirjen e shtetit me Partinë Socialiste dhe për nënshtrimin e policisë përpara krimit të organizuar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë