Politike

Hetimet ndaj Metës marrin një tjetër rrjedhë, dyshohet për takim të Presidentit me eksponentë të Agimit të Artë

Komisioni Hetimor i ngritur nga Parlamenti për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta zhvilloi këtë të premte mbledhjen e radhës ku miratoi planin e punës hetimore dhe caktua dy ekspertë të jashtëm për ta ndihmuar në këtë hetim.

Ekspertët e caktuar nga Komisioni janë pedagogu i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, Erind Mërkuri dhe pedagogu i Universitetit të Elbasanit, Artan Spahiu.

Komisioni kërkon nga ekspertët që të interpretojë rolin e Presidentit në një Republikë Parlamentare, cilat janë kompetencat që Kushtetuta i njeh dhe mënyrën e ushtrimit të këtyre kompetencave, çfarë nënkuptohet me shprehjen që Presidenti është përfaqësues i unitetit kombëtar dhe interpretimin e parashikimit kushtetues të “interesit të përgjithshëm”.

Por, vëmendje në këtë mbledhje të Komisionit tërhoqi kërkesa e anëtarit Myslim Murrizi. “Unë do të doja që të kishim këtu në një seancë dëgjimore edhe shefin e SHISH dhe të Policisë së Shtetit”, tha Murrizi.

Çfarë do të thotë kreu i SHISH në hetimin parlamentar për Presidentin Meta, kur kërkesa e dorëzuar nga 49 deputetët socialistë që ishin nismëtarë të ngritjes së këtij komisioni bazohet në deklaratat dhe qëndrimet publike të Presidentit?

Sipas Top Channel nuk bëhet fjalë për deklaratat e qëndrimet publike të Metës, por për takimet jopublike të tij.

“Në këtë Komision ka mbërritur një informacion se SHISH ka paralajmëruar Presidentin të mos takohet me dy persona pasi sipas SHISH ata kishin lidhje me Agimin e Artë. Pikërisht këtij informacioni, Komisioni Hetimor kërkon t’i shkojë deri në fund për të mbërritur në përfundimin nëse Presidenti Meta e ka marrë seriozisht këtë paralajmërim të SHISH. Mbetet e paqartë nëse kreu i shtetit është takuar apo jo me këta dy persona gjatë fushatës elektorale”, thuhet në lajmin e publikuar nga Top Channel.

Kreu i Komisionit Hetimor, Alket Hyseni u shpreh se Komisioni u është drejtuar me shkresa SHISH dhe Policisë së Shtetit për të marrë informacione të nevojshme, por as pohoi dhe as mohoi mundësinë që të kërkohet zhvillimi i një seance të mbyllur me kreun e SHISH.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë