Politike

“Meta 2” mbyll hetimet, provat mbi të cilat do të vendoset për fatin e Presidentit

“Meta 2” mbyll hetimet, provat mbi të cilat do të vendoset për fatin e Presidentit

Komisioni Hetimor Parlamentar i ngritur për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta mbylli këtë të hënë procesin e administrimit të provave dhe do të dalë me një vendimmarrje brenda javës mbi bazën e provave që janë dorëzuar deri më 24 maj.

Pjesa më e madhe e materialeve të administruara janë materiale informuese dhe formale, që i shërbejnë Komisionit për të zbatuar procedurën kushtetuese e ligjore që kërkon ky proces.

Mes provave fizike e reale, kreu i këtij Komisioni, Alket Hyseni citoi 37 CD me materiale të marra nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, ku janë të pasqyruar të gjitha deklaratat e Presidentit para, gjatë dhe pas 25 prillit, që në vlerësimin e 49 deputetëve nismëtarë për shkarkimin e Metës bien ndesh me rolin e tij mbi palët.

Veç tyre, Komisioni ka administruar si prova edhe postime me foto, video dhe tekst të Presidentit në rrjetet sociale. Prova tjetër është korrespondenca e Presidentit me Gjykatën Kushtetuese, që anëtarë të Komisionit Hetimor Parlamentar e interpretojnë si shantazh të tij ndaj kësaj gjykate.

Të dhënat janë mbledhur edhe nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nga SPAK në lidhje me kallëzimet për krimet zgjedhore.

Komisioni ka administruar edhe informacione nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe një informacion të klasifikuar si sekret nga ana e Policisë së Shtetit, nën dyshimet se Presidenti Ilir Meta mund të jetë takuar me eksponentë të Agimit të Artë.

Informacion është marrë edhe nga Bashkia e Tiranës në lidhje me procedurat e ndjekura prej kësaj të fundit për përplasjen në lidhje me zyrat e Frymës së Re Demokratike si dhe raste të shkarkimit të Presidentit në Letoni dhe vende të tjera europian.

Si provë janë administruar edhe dhënia e titujve, dekoratave, procedurave dhe dekreteve të shtetësisë së dhëna nga ana e Presidentit Meta para, gjatë dhe pas zgjedhjeve.

Gjithashtu, në fund Komisioni ka administruar si provë edhe dy raportet e dhëna nga dy ekspertët ligjorë, Artan Spahiu dhe Erind Mërkuri.

Komisioni pritet që të dalë me një vendim brenda kësaj jave. Mbi bazën e këtyre provave të administruara, ai do të vendosë t’i propozojë Kuvendit shkarkimin ose jo të Presidentit. Nëse propozohet shkarkimi, ai duhet të miratohet me 94 vota pro dhe më pas të kalojë për vendimin përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë