Politike

25 prilli, Meta: Asgjë nuk ka përfunduar! Të hetohet e zbardhet çdo ankesë

Pak pasi Komisioni për Ankesat dhe Sanksionet në KQZ vendosi rrëzimin e kërkesave të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim për pavlefshmëri të zgjedhjeve në këtë qark, Presidenti Ilir Meta u është drejtuar qytetarëve me një mesazh të gjatë në rrjetet sociale.

Mes rreshtave të mesazhit, Meta thotë se asgjë nuk ka përfunduar sa i takon rezultatit përfundimtar të 25 prillit.

“Procesi zgjedhor, konsiderohet i mbyllur vetëm atëherë kur edhe ankesa e fundit, të jetë shqyrtuar. Kodi Zgjedhor, në nenin 167 të tij, e përcakton shumë qartë se KQZ shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, vetëm pasi të kenë përfunduar procedurat e ankimit, sipas këtij Kodi. Deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar, jemi ende në periudhë zgjedhore, dhe subjektet politikë, përfaqësuesit e tyre duhet të dëshmojnë maturi dhe qetësi dhe të ndjekin nga afër proceset, që ata kanë ngritur”, thotë Presidenti.

Meta u bën thirrje të gjitha institucioneve administrative dhe gjyqësore, që të shqyrtojnë me përgjegjshmëri dhe objektivitet të gjitha ankesat e parashtruara.

“Pasi integriteti i këtij procesi ankimor është po aq i rëndësishëm sa dhe vet rezultati i shqyrtimit të këtyre ankesave. Është tepër e rëndësishme, që çdo votë të numërohet e rinumërohet me transparencë deri në fund, sipas Kodit Zgjedhor. Është e rëndësishme, që çdo fakt, e dhënë, material zgjedhor, të kqyret e verifikohet, me objektivitet dhe paanësi”, vijon ai.

Thirrja tjetër u drejtohej atyre që kanë marrë mandat deputeti më 25 prill.

“Kushdo, që ka konsumuar veprime të paligjshme, për të përfituar një mandat, duhet të ndëshkohet dhe nuk e meriton mandatin për në Kuvendin e Shqipërisë. Çdo kandidat, që ka përfituar mandat përmes krimeve zgjedhore, nuk ka të drejtë të ulet në Kuvend dhe të përfaqësojë popullin shqiptar”, deklaron Meta.

Presidenti përsërit qëndrimin se dita e votimit ishte e qetë dhe pa problematika serioze, por këmbëngul se procesi zgjedhor në tërësi nuk ishte i drejtë e i ndershëm.

“Numri i krimeve zgjedhore u rrit ndjeshëm; ku blerja e votës u kthye në fenomen masiv; ku administrata, fondet publike, dhe asetet shtetërore u keqpqërdorën nga pushtetëmbajtësit për të favorizuar veten e tyre”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë