Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dyshon se personat që kanë vendosur më shumë se një herë gjurmët e gishtërinjve në pajisjen e identifikimit elektronik janë vetë operatorët e kësaj pajisjeje. Nënkomisionerja Lealba Pelinku sqaroi se pajisja PEI ndalonte vetëm votimin me të njëjtën kartë më shumë se një herë, por jo votimin nga një person me kartën e një personi tjetër.
Nënkomisionerja e KQZ-së u thirr këtë të mërkurë para Komisionit për Ankesa dhe Sanksione për të shpjeguar teknikisht akuzat e dyshimet e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për votim të dyfishtë në Qarkun e Gjirokastrës.
Pelinku është emër i propozuar nga PD për zbatimin dhe mbikëqyrjen e teknologjisë në zgjedhje, sipas marrëveshjes së 5 qershorit të vitit të kaluar. Ajo tha se pajisja njeh në më shumë se një rast gjurmët e gishtërinjve, por jo të njëjtën kartë kur ajo përdoret më shumë se një herë.
Pelinku tha se ka në Qarkun Gjirokastër pasur dy raste kur gjurmët e gishtërinjve të një personi janë shfaqur në dy qendra votimi të ndryshme. Si shpjegohet? Sipas Pelinkut, anëtarët e Komisionit të Votimit dhe operatorët e pajisjes së identifikimit elektronik kanë pasur emrin të regjistruar në këto pajisje.
“Ne supozojmë që ka qenë pjesë e administratës zgjedhore, që ka kryer identifikimin biometrik në qendrën ku ka qenë caktuar ditën e votimit dhe më pas ka shkuar në qendrën e vet të votimit për të votuar”, tha ajo para KAS.
Nënkomisionerja tha se në këtë fazë të grumbullimit dhe përpunimit të të dhënave nuk mund të thotë se kujt i përkasin këto shenja gishtërinjsh. Ajo foli për problematika që janë sinjalizuar nga operatorët në rastet kur pajisja nuk ka njohur shenjat e gishtërinjve të votuesve në moshë madhore.
“Ka pasur raste kur votuesve kryesisht në moshë madhore nuk u është njohur shenja e gishtave dhe e ka vendosur operatori (shenjën e gishtërinjve). Nga vetë operatorët na është bërë më dije se kanë pasur vështirësi për marrjen e shenjave të gishtave tek personat me moshë të madhe. Ata për të përshpjetuar procesin kanë vendosur ata vetë të shenjën e gishtit. Këto na kanë ardhur në rrugë telefonike në ditën e zgjedhjeve”, vijoi ajo.
Nëse në të tilla raste bëhet fjalë për shkelje të Kodit Zgjedhor dhe vepër penale, Pelinku tha se do t’i takojë prokurorisë që të sqarojë se çfarë ka ndodhur. Nënkomisionerja ishte thirrur në këtë mbledhje të KAS për të sqaruar anëtarët në lidhje me funksionimin e këtij proces, por veç sqarimit ndezi edhe debatet brenda vetë këtij komisioni të KQZ-së.
Anëtari Ilirjan Rusmajli kërkoi që nënKomisionerja t’i vendosë sa më parë që të jetë e mundur emrin, ose emrat e personave votues në Qarkun e Gjirokastrës, shenjat e gishtërinjve të të cilëve janë regjistruar në pajisjet PEI në më shumë se një rast dhe në më shumë se një qendër votimi.
Rusmajli kërkoi që të bëhet verifikimi i komisonerëve, anëtarëve apo operatorëve të QV-ve ku janë raportuar dyfshimet për votim të dyfishtë për të çmuar provat dhe vërtetuar se cilës parti politike i përkasin. Nënkomisionerja tha që kjo provë, nga ana e KQZ do të kërkohet dhe të vendoset në dispozicion. Por, relatori Ledio Braho e vlerësoi si tendencioze këtë pyetje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje