Politike

Berisha “non grata”, Meta kundër DASH: Fletrrufe e poshtër, e shëmtuar, e pabesë nga lobingje antishqiptare

Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi normale mos reagimin e Presidentit Ilir Meta lidhur me vendimin e DASH ndaj tij për të shpallur atë dhe familjen e tij “non grata” në SHBA

Ndoshta sepse Ilir Meta, një ditë pasi Berisha u shpall si i tillë, i kish dërguar një mesazh privat përmbajtjen e të cilit e bëri publike të shtunën.

Në mesazhin e dërguar, Ilir Meta e ka bërë zgjedhjen e tij. Ai është rreshtuar kah Berishës me një mesazh të fortë kundër SHBA krejt ndryshe edhe nga vetë lideri i PD-së, Lulzim Basha, që mbajti një qëndrim gjysëm amerikan dhe gjysëm berishian.     

“Si President i Republikës së Shqipërisë ndjej përgjegjësinë e lartë të ndaj me Ju vlerësimin tim lidhur me “fletërrufenë” e porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë kundër z.Sali Berisha, Presidentit të parë demokratik të vendit.

Kjo “fletërrufe” jo rastësisht u kërkua në këtë moment, kur procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht dhe kur institucionet, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të shprehen lidhur me ankesat e shumta për manipulimet dhe krimet zgjedhore të denoncuara gjerësisht, që kanë cenuar rëndë standardet perëndimore të një procesi elektoral plotësisht të lirë, të ndershëm dhe demokratik.

Duke u bërë thirrje të gjithëve të zbatojnë me rigorozitet ligjin, si dhe të gjitha kërkesat e Kodit Zgjedhor lidhur me procesin e 25 prillit, pasi kjo është dhe  mbetet çështja më e rëndësishme aktualisht, ndjej përgjegjësinë të ndaj me secilin prej jush, mesazhin e solidaritetit, që i kam dërguar z.Sali Berisha dhe familjes së Tij ditën e enjte paradite, pas informacioneve, që mora nga burime të ndryshme dhe të besueshme”, shklruan Meta në Facebook.

Më tej ai publikon edhe mesazhin:

“Përshëndetjet e mia më të sinqerta dhe solidaritet për Ju, Lilin dhe Familjen tuaj pas këtij akti të shëmtuar, të pabesë dhe të poshtër, që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër. Ata që financuan për të shpallur hero të Reformës në Drejtësi Dvoranin e Partisë mund të bënin çdo marrëzi dhe nuk mund të na habisin më me pacipësinë e tyre për respektin ndaj shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e Drejtësisë.

Të fala!”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë