Agron Shehaj që mori vota të konsiderueshme në Tiranë në zgjedhjet e 25 Prillit ka shpallur kandidaturën për kreun e PD-së.
Përmes një postimi në Facebook, Shehaj konfirmon futjen në garë, një lëvizje në fakt që prej ditësh po qarkullonte jo zyrtarisht nëpër korridoret e selisë blu.
Ndryshe nga kandidatët e detitashëm që kanë kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të Bashës, në postimin e tij, Shehaj nuk e përmend kreun e PD-së me emër, por thotë se vendit “i duhet një drejtim i ri”, duke shkëputur ndër radhë dy qëndrime; e para se shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe jo nga apatia e ankimit për padrejtësitë, dhe së dyti se, ndryshimi duhet të vijë jo përmes ripërsëritjes së të njëjtave gabime.
“Shqipëria ka sot nevojë për opozitë të fortë, parimore dhe frymëzuese. Shqipëria ka sot nevojë për Partinë Demokratike!
Ne demokratët do ta kapërcejmë gjendjen e vështirë ku jemi dhe do ngrihemi më të fortë se më parë. Përballë autokracisë, korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë, ne do të ndërtojmë alternativën e lirisë, ndershmërisë dhe aftësisë.
Për këtë duhen energji të reja, vizion i ri, drejtim i ri.
Me ketë bindje, kam vendosur të kandidoj për kryetar të Partisë sime. Konkurrimin nuk e shoh si garë për një post, por si një përpjekje të përbashkët me të gjithë demokratët që dëshirojnë që partia jonë të jetë partia e anëtarëve: një parti e vërtetë demokratike, moderne dhe e hapur.
Unë besoj se çdo njeri duhet të luftojë duke dalë në shesh për atë që beson. Unë besoj se shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe jo nga apatia e ankimit për padrejtësitë, që sigurisht kanë ndodhur. Unë besoj se përparimi vjen përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime.
Dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë ju që më keni besuar e nxitur të marr përgjegjësinë e garës. Unë kam hyrë në politikë për të punuar për njerëzit, jo për t’u pasuruar dhe nuk do ju zhgënjej”, shkruan Shehaj në Facebook.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje