Politike

Zgjedhja e kreut të PD, Hoxha: Dorëhiqem, s’ka garë. Elezi: Kandidoj, por me kushte

Ditën e fundit të afatit zyrtar të kandidaturave për kreun e PD-së, ka pasur dy zhvillime. Një kandidat është dorëhequr ndërsa një tjetër është futur në lojë zyrtarisht. Lisandër Hoxha ka dhënë dorëheqjen nga gara, ndërsa Ibsen Elezi ka konfirmuar garën përmes depozitimit të emrit zyrtarisht.

Ish-nënkryetari i FRPD, Lisandër Hoxha ka deklaruar përmes një postimi të gjatë në Facebook se brenda PD nuk ka garë, sa kohe që rezultati, sipas tij, është i parashikuar.   

“Sot aty nuk ka garë sepse rezultati i përfundimit të saj është parashkruar dhe nuk ka asnjë mundësi që përballja të jetë reale. Unë nuk i kam ikur asnjëherë asnjë sfide dhe asnjë përgjegjësie. Me dhjetëra herë jam përballur me padrejtësitë e brendshme deri aty sa kam dhënë edhe dorëheqjen nga çdo funksion në disfavor të mendësisë pragmatiste që shumica aty mban. Këtë rol e kam zgjedhur si model jete dhe nuk kam ndërmend ta ndryshoj.

Në garë do futesha nëse çdo anëtar i PD do kishte të drejtë vote dhe nëse gara nuk do të kontrollohej nga një komision i njëanshëm dhe një rregullore antidemokratike.

Nuk dua të legjitimoj një farsë, e cila e bën Partinë Demokratike më të vogël, humbëse dhe të shkëputur nga realiteti”, shkruan Hoxha në Facebook.

Ndërsa Ibsen Elezi është nga ata kandidatët që beson ende në garë, nëse do të respektohen disa kërkesa që grupimi “Për PD-në” ka parashtruar më herët .

”Vetëm me dorëheqjen e Bashës mund të ketë garë të barabartë. Kandidatët për kryetar duhet të kenë përfaqësues në komisionin zgjedhor”, tha Elezi pas depozitimit të kandidaturës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë