Futboll

Kthesa surprizë, Interi arrin akordin me Simone Inzagin për dy vjet

Simone Inzagi lë Lacion për të kaluar tek Interi. Klubi zikaltër ka gjetur trajnerin për sezonin e ri, duke ia marrë Lacios në “kthesën e fundit”, me një parakalim surprizë. Një manovër e finalizuar me sukses në një ditë të çmendur mes Romës dhe Milanos.

Inzagi prishi marrëdhëniet me Lacion një ditë pasi gjithcka u duk e mbyllur për rinovimin deri në 2024-ën. Darka me presidentin Lotito la përshtypjen se situata ishte mjaft e qetë, por nuk ishte kështu. Ish-sulmuesi u afrua me Interin dhe orët e fundit arriti një akord me drejtuesit e tij, të cilët nuk hoqën dorë dhe ia arritën qëllimit. Prokuratori i Inzagit, Tulio Tinti, shkoi në selinë zikaltër për të përcaktuar edhe detajet e fundit.

Simone Inzagi. Gazeta Si, 28 maj 2021

Akordi mes palëve është për një kontratë dyvjeçare, me një rrogë prej 4 milionë eurosh për trajnerin, plus bonuset, gati dyfishi i shifrës që Inzagi do të përfitonte nga rinovimi me Lacion. Pavarësisht qëndrimit pozitiv në kampin e Lacios, trajneri asnjëherë nuk e materializoi firmën e zgjatjes së kontratës. Ai së fundi i kërkoi kohë Lotitos dhe Interi përfitoi për të bërë goditjen. Interi ishte në kërkim të trajnerit pas largimit të Kontes dhe Inzagi e ka çdo gjë gati, pais përdor të njëjtën skemë, 3-5-2.

Igli Tare dhe Lotiro ndërkohë duhet të gjejnë një trajner të ri. Presidenti i Lacios u shpreh i zhgënjyer nga largimi i Simone Inzagit: “Jam i zhgënjyer, firma ime ishte gati gjithmonë”. Kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Lacios është Sinisha Mihajloviç, ish-lojtar i këtij ekipi që sezonin e fundit ka drejtuar Bolonjën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë