Politike

Raporti i KiE për zgjedhjet, PD e lexon ndryshe: Pasqyron masakrën e 25 prillit

Partia Demokratike e lexon ndryshe raportin e vëzhgimit të zgjedhjeve të 25 prillit, që u miratua ditën e hënë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës. Opozita thotë se raporti identifikon pesë problematika madhore në të gjithë procesin.

Së pari, PD thotë se raporti vëren se “zyrtarët publikë abuzuan pushtetin e funksioneve publike. Gjatë misionit kishte shumë raportime për ushtrim presioni ndaj votuesve, sidomos ndaj punonjësve të administratës publike për të votuar për partinë në pushtet”.

Së dyti renditen denoncimet e qytetarëve për blerjen e votave, presionet mbi votuesit dhe keqpërdorimin e administratës publike.

“Delegacioni është informuar nga qytetarë të ndryshëm, përfshirë edhe partitë politike, për një problem që është parë gjatë fushatës elektorale, në veçanti për blerjen e votave, presionet mbi votuesit, veçanërisht mbi nëpunësit civilë dhe keqpërdorimin e burimeve të administratës. Delegacioni i Asamblesë i dënon fuqimisht këto praktika dhe i bën thirrje autoriteteve kompetente në Shqipëri që të bëjnë çfarë është e mundur që të t’i japin fund këtyre parregullsive dhe të rrisin besimin e zgjedhësve në proceset zgjedhore”, thotë PD.

Së treti, PD thotë se në raport identifikohet shkelja e të dhënave personale të qytetarëve para zgjedhjeve.

“Gjatë fushatës elektorale media publikoi databazën me të dhënat personale e cila përdorej nga PS për të ushtruar presion. Rrjedhja e të dhënave sensitive personale, përfshirë preferencat politike të qytetarëve, janë shqetësim serioz dhe i bëjnë votuesit vulnerabël”, thotë raporti sipas PD.

Së katërti, mes rreshtave të raportit PD gjen edhe persionin mbi votuesit në ditën e zgjedhjeve dhe shit-blerjen e votave pranë qendrave të votimit.

“Misioni vëzhgoi momente presioni mbi votuesit. Një person u pa teksa tërhiqte një tjetër drejt Qendrës së Votimit, pasi votuesi kaloi procedurën e verifikimit ai u mor me një anë dhe u instruktua si të votonte. Në të njëjtin Rajon u dëshmua një rast i shpërndarjes së parave pranë qendrave të votimit. Një tjetër ekip i Asamblesë Parlamentare vërejti propagandë elektorale për një parti gjatë votimit brenda një qendre votimi”, thotë PD.

Në fund, PD thotë se Asambleja e KiE gjykon se marrëveshja e 5 qershorit është shkelur dhe shkelja e saj krijoi paqartësi dhe pasiguri në procesin zgjedhor si dhe vështirësi në zbatimin e ndryshimeve të njëanshme.

“Procedura për ndryshimet e njënanshme, që dhunuan marrëveshjen e 5 Qershorit, ishte e përshpejtuar, u bë me nxitim, dhe pa konsultime. Ndryshimet e njënashme u bënë 9 muaj para zgjedhjeve në kundërshtim me Kodin e Praktikave të Mira të Komisionit të Venecias, ku sugjerohet një periudhë 12 mujore për ndryshimet, sidomos për ndryshimet në sistem”, thotë Partia Demokratike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë