Politike

Dosja “Imeraj” përfshin edhe SHBA, Kim: Test për vettingun!

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë e cilëson rastin e kryeprokurores së Tiranës, Elisabeta Imeraj si test për organet e vettingut.

“Do të ndjekim me vëmendje se çfarë ndodh. A do të tregojnë (trupa e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit) kurajo dhe integritet dhe të bëjnë drejtësi, apo ashtu siç kemi parë shpesh në të shkuarën, do të ketë përpjekje për të sulmuar procesin e vettingut dhe ofenduar vëzhguesit ndërkombëtarë?”, deklaroi ambasadorja e SHBA, Yuri Kim.

Kim thotë se vëzhguesit ndërkombëtarë i rekomanduan ditën e hënë Komisionerit Publik që të apelojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e la në detyrë Elisabeta Imerajn duke e kaluar si në kriterin e pasurisë, atë të integritetit dhe të profesionalizmit.

Ambasadorja ka një vërejtje edhe për mediat në rastin e Imerajt.

“A do t’i shërbejë media publikut dhe ta mbulojë këtë çështje me integritet, apo do të marrin telefonata që do t’i heshtin e do t’ua mbyllin gojën dhe sytë? Koha për t’u shkëputur nga veset e vjetra që dëmtojnë Shqipërinë! koha që Shqipëria të ecë përpara hap pas hapi. SHBA do të jetë me ju”, mbyll reagimin e saj Ambasadorja Kim.

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj e kaloi procesin e vettingut në shkallën e parë, ndërkohë që u dorëhoq nga posti i prokurores në SPAK për të mbajtur detyrën në krye të organit të akuzës së kryeqytetit.

Por, ONM kërkon nga Komisioneri Publik që të apelojë vendimin e KPK-së. Gjatë seancës së relatimit të mbajtur në muajin mars në KPK, gjetja e ONM-së që mori pjesën kryesore të debatit kishte të bënte me atë që vëzhguesi Theo Jacobs la të kuptohej se e ishte një “përpjekje të organizuar” për të ndikuar në proces.

Ai tha se kolegu i tij, Hans Kijlstra, tashmë i larguar nga ONM i kishte lënë në dorë disa vëzhgime bashkë me informacionin e siguruar nga dy burime, një shqiptar dhe një i huaj, që Imeraj kishte vënë njerëz ta ndiqnin dhe ta fotografonin, përfshirë pretendimin se kishin foto kompromentuese ndaj tij. Jacobs po ashtu veçoi dorëheqjen e ish-relatores Etleda Çiftja, e cila shprehej se kërkonte të tërhiqej pasi 7-8 persona i ishin afruar për t’i kërkuar “qëndrim më fleksibël” në çështjen ndaj Imerajt.

Jacobs nuk e përmendi emrin e komisioneres, por ai u bë i ditur publikisht nga Imeraj, që kundërshtoi ashpër gjetjet, duke iu referuar ironikisht atyre si të marra nga denoncimi i “Rrahim Shehut” -një emër i rremë i përdorur me gjasë nga një denoncues anonim, të cilin prokurorja e përmendi shpesh për të ironizuar gjetjet e Jacobs.

Prokurorja pretendoi se të gjitha institucionet, përfshirë Gardën e Republikës i kishin thënë zyrtarisht se nuk kishin informacion dhe as ndonjë ‘thashethem’ që Kijlstra ishte ndjekur apo fotografuar.

Po ashtu, ajo akuzoi komisioneren Etleda Çiftja se kishte braktisur detyrën dhe se me dorëheqjen e kishte vënë atë në pozitë të vështirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë