Komiteti Shqiptar i Helsinkit prezantoi gjetjet kryesore të një raporti vëzhgues mbi punën e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë në periudhën dhjetor 2020-prill 2021.
Në aktivitetin e prezantimit të këtij raporti mori pjesë edhe Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim. Kryediplomatja amerikane në Shqipëri përçoi një mesazh të drejtpërdrejtë për dy organet, kur i ftoi që të udhëheqin me shembull duke respektuar ligjin dhe afatet e përcaktuara prej tij në vendimmarrjen e tyre.
“Këshillat duhet të gjejnë burimet njerëzore, duhet të vendosin standardet më të mira dhe të adaptojnë kodin etik. KLGj dhe KLP duhet të udhëheqin sipas forcës së shembullit duke ndjekur vetë të parat procedurat dhe afatet e vendosura nga ligji. Publiku nuk duhet të presë drejtësi deri kur të mbyllet vettingu. Drejtësia duhet të jepet sa më shpejt që të jetë e mundur aty ku është e mundur”, tha Kim.
Ambasadorja u shpreh se procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka larguar nga sistemi një numër më të lartë punonjësish të drejtësisë nga sa ishin parashikimet fillestare kur u ndërmor reforma. Por, tha ajo, reforma duhet të vijojë dhe përçoi mesazhin e drejtpërdrejtë ndaj atyre që janë skeptikë se “rrugë tjetër nuk ka”.
“Është e domosdoshme për reformën për të siguruar një shqipëri demokratike. Të ndalojmë shtirjen dhe ta bëjmë reale reformën. E di që puna juaj nuk është e lehtë, por është me rëndësi dhe nuk mund ta përballojmë dështimin”, tha Kim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje