Sport

Vdekja e Kobi Brajant, akord për mbylljen e çështjes së incidentit fatal

Familja e Kobi Brajant dhe ato të viktimave të incidentit të helikopterit që u rrëzua në kodrat e Calabasas (Los Anxheles) në janar të 2020-ës, ku humbën jetën ylli i basketbollit, vajza e tij Xhana 13 vjeç dhe 7 persona të tjerë, kanë arritur një akord që i jep fund procedimit ligjor kundër pilotit dhe kompanisë së helikopterëve.

Sipas shtypit amerikan, gjykata pritet të zyrtarizojë vlefshmërinë e këtij akordi, detajet e të cilit nuk janë bërë të ditura publikisht. Pak muaj më parë, një raport i autoriteteve për sigurinë e transportit kishte dalë në konkluzionin se incidenti u shkaktua nga një gabim i pilotit, duke akuzuar edhe kompaninë për shkelje të normave të sigurisë.

“Island Express Helicopters” kishte mohuar çdo lloj përgjegjësie në atë ngjarje. Familjarët e viktimave, mes tyre edhe Vanesa Brajant, e veja e ish-basketbollistit të famshëm të Los Anxheles Lejkërs, kishin paditur në gjykatë kompaninë që kishte në pronësi helikopterin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë