Ne rrjet

Letra e tre ministrave të Jashtëm të BE: Dështuam me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Gjermania, që la presidencën e Bashkimit Europian në fund të vitit të kaluar, Portugalia që e mbyll këtë Presidencë më 30 qershor dhe Sllovenia që e merr stafetën më 1 korrik shprehin keqardhjen që BE ende nuk ka hapur formalisht negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke mos mbajtur premtimet e bëra.

“Ne jemi tejet të shqetësuar që nuk ia kemi dalë ende të fillojmë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, edhe pse Këshilli e ka vendosur këtë që prej muajit mars 2020. Të dy vendet kanë përmbushur një sërë reformash dhe Maqedonia e Veriut ka investuar një kapital politik thelbësor për Zgjerimin, duke ndryshuar madje dhe emrin e vet. Ka ardhur koha finale që BE-ja të mbajë premtimet e saj”, thonë në një letër të përbashkët tre ministrat e Jashtëm të këtyre vendeve.

Heiko Maas, Augusto Santos Silva dhe Anze Logar i Sllovenisë përsëritin qëndrimin se zgjerimi është në interes strategjik të vetë BE-së dhe u bëjnë thirrje të gjitha vendeve anëtare që të mos bllokojnë këtë proces për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe që mund të kenë me vendet kandidate, si në rastin e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, që penalizoi edhe Shqipërinë.

“Presidenca gjermane dhe portugeze kanë punuar fort për gjetjen e një kompromisi që do të na lejonte të ecnim përpara dhe presidenca sllovene do t’i vazhdojë këto përpjekje dhe do të çojë përpara punën e bërë deri më sot. Ne besojmë se çështjet dypalëshe nuk duhet të pengojnë kurrsesi progresin në një hap të një rëndësie kaq themelore për të dy palët: si për BE-në, ashtu dhe për Ballkanin Perëndimor”, thonë kryediplomatët e tre vendeve të unionit.

Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut u kërkohen që të mos demoralizohen dhe të vijojnë me reformat.

“Të vazhdojnë përpjekjet e tyre për forcimin e demokracisë, luftës kundër korrupsionit dhe të forcojnë sundimin e ligjit, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal, duke përmirësuar njëkohësisht klimën për lirinë e medias dhe shoqërinë civile”, vijon letra.

Mesazhi përçon vetëdijen se procesi i zgjerimit mund të jetë i vështirë dhe rraskapitës për vendet kandidate, por thuhet se është e vetmja rrugë për të realizuar një proces jo thjesht bashkimi faktit, por edhe standardesh e vlerash që BE përfaqëson.

Solidaritet në përballjen me pandeminë
Në fund të fundit BE-ja është dhe një hapësirë solidariteti. Që prej fillimit të pandemisë së Covid-19, BE-ja iu përgjigj thirrjes së WHO-së për veprim dhe ka ndihmuar në mbledhjen e pothuajse 16 miliardë eurove. Një në tre euro ose dollarë të shpenzuara për platformën globale të vaksinave, COVAX, nëpërmjet së cilës sigurohet aksesi në vaksina për vendet me të ardhura të ulëta ose të mesme, vjen nga BE-ja dhe shtetet e saj anëtare. BE-ja ka investuar afro 3 miliardë euro për të parafinancuar prodhimin e vaksinave nëpërmjet Marrëveshjeve të Avancuara të Blerjeve me kompanitë farmaceutike, prej të cilave përfitojnë qytetarët kudo në botë, përfshirë dhe Ballkanin Perëndimor. Dozat e para janë dorëzuar tashmë, pritet të vijnë të tjera. Për më tepër, BE-ja e ka mbështetur rajonin që prej fillimit të krizës, duke mobilizuar një paketë substanciale prej 3.3 miliardë eurosh për të adresuar krizën e ngutshme shëndetësore dhe për të zbutur efektet e saj ekonomiko-shoqërore, si dhe një paketë investimesh në vlerën e më shumë se 9 miliardë eurove për rimëkëmbjen afatmesme dhe zhvillimin e rajonit.

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë demonstruar gjithashtu mes njëri-tjetrit një solidaritet të rëndësishëm në përballjen me pandeminë. Bashkëpunimi i përmirësuar rajonal mbetet një faktor kyç për shfrytëzimin e potencialit të plotë ekonomik të rajonit dhe për promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë si dhe pajtimit. Ne shpresojmë që në Samitin e Procesit të Berlinit më 5 korrik, vendet e Ballkanit Perëndimor të ndërmarrin hapa ambiciozë të mëtejshëm për kthimin në realitet të projektit të tyre historik të një Tregu të Përbashkët Rajonal, i cili do të sjellë katër liritë në rajon.

Interes i përbashkët

BE-ja, si një bashkim i shteteve të ndryshme anëtare, secili me traditat dhe historinë e tij, nuk do të jetë në gjendje të arrijë sukses, nëse nuk do të ruajë vlerat e saj të përbashkëta. Le të marrim tri vendet tona – Gjermania, Portugalia dhe Sllovenia, “Presidencën Trio” aktuale të BE-së. Ne kemi histori dhe eksperienca të ndryshme. Por ne besojmë në atë që thoshte dikur Jean Monnet, njëri prej baballarëve të themelimit të BE-së: “Bëjini njerëzit të punojnë bashkë; tregojuni atyre se përtej dallimeve që ata kanë dhe kufijve gjeografikë, atje tej qëndron një interes i përbashkët”. Ky interes i përbashkët është një Evropë e paqësore, e fortë dhe e lulëzuar, e aftë të ruajë interesat dhe vlerat e saj në një botë gjithnjë e më konkurruese. Për të arritur këtë Ballkani Perëndimor duhet të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. /DW


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë