Politike

Shtyrja e negociatave, Rama nga Shkupi: Nuk kemi dështuar ne, por BE

Duke folur nga Forumi i Parë Ekonomik, i pranishëm në Shkup, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama komentoi për herë të parë lajmin e marrë dje nga ministrat e Jashtëm të BE-së që nuk arritën në një dakordësim për të përcaktuar një datë për Konferencën e parë Ndërqeveritare me Shqipërinë. Rama e ka cilësuar shtyrjen e negociatave si një dështim të Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë tha se do ishte më e ndershme që BE të thoshte ata nuk janë gati për të na pranuar “në familjen e tyre”, sesa të fajësojnë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për mosplotësimin e kushteve

“Nuk është hera e parë që dështojnë në mosdhënies e mundësisë për Konferencën e Parë. Është pak a shumë si një çështje martese, ku gjithçka e ke bërë në rregull, dhe në fund nusja nuk paraqitet. Ne do vazhdojmë të ecim përpara, të bëjmë punën tonë. Ne ishim gati edhe më parë. Fakti që disa vende më parë deklaronin që Shqipëria nuk është gati, kjo nuk do të thotë që Shqipëria nuk ishte gati vërtet, por kjo lidhet me çështjet e brendshme. Pra, nuk ishim gati, kur Holanda kishte çështjen e zgjedhjeve. Unë jam i shqetësuar sa ne bëjmë progres, jo për këtë. Ne nuk po e bëjmë këtë, pasi disa burra shteti në Bruksel na thonë se duhet të ecim përpara”, deklaroi kryeministri.

Rama u shpreh se nuk është aspak pesimist, edhe pse BE mund të dështojë disa herë.

“Ne jemi partner i rëndësishëm ekonomik me Maqedoninë e Veriut. Ne nuk kemi dështuar, ata kanë dështuar. Është shtëpia e tyre, ne duam të hyjmë në këtë shtëpi, ndaj dhe nuk vendosim ne. Ne jemi në Evropë, jemi të rrethuar nga kufij evropianë. E vetmja keqardhje që kam është se do ishte më mirë të na thonin se ‘ju duam brenda familjes, por janë disa rregulla, që nuk janë ende gati’, pasi krijohet një situatë pak e çuditshme, pasi qytetarët në Shqipëri i besojnë këta zyrtarë evropianë, dhe mendojnë se është politika e brendshme problem”, tha kryeministri Rama.

“Vendimi i BE-së është një dëshpërim i madh për ne por edhe një mossukses i politikës së Bashkimit Europian, deklaroi Zaev i cili për bllokimin nga Bullgari tha se nuk është vlerë europiane.

“Ne nuk jemi vetëm dhe nuk jemi të izoluar. Ne dhe populli shqiptarë kanë përpara rrugën e njëjtë drejt BE-së dhe ne nuk jemi vetëm, ndajmë politikën evropiane. Në këtë rrugë së bashku me ne janë edhe Serbia, Mali i Zi, Kosova dhe Bosnja”, deklaroi Zaev.

“Popujt tonë dhe qeveritë tona në mes të Ballkanit demonstrojnë vlera evropiane, ne me shpejtësi të madhe jemi nis në mënjanimin e barrierave dhe pengesave mes nesh. Kemi sfida të përbashkëta dhe kultura të përbashkëta. Këtu jam bashkë me kryeministrin Rama që të paralajmërojmë se edhe më shumë do ti afrojmë popujt tanë” deklaroi Zaev në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, duke shtuar se për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërinë, integrimi në BE, mbetet alternativë e vetme.

Komisioneri i zgjerimit, Olivér Várhelyi dekalroi nga ana tjetër se Komisioni Europian do të vazhdojë të punojë me Presidencën Sllovene të BE për hapjen e Konferencës së I-rë Ndërqeveritare me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

una do të vijojë në Presidencën sllovene të BE që nis në korrik për të përmbyllur edhe këtë çështje; ne duhet të hapim Konferencat e I-ra Ndërqeveritare me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut si një çështje përparësie” shprehet komisioneri Várhelyi.

Shpresat për të zgjidhur mosmarrëveshjen dypalëshe Bullgari – Maqedoni e Veriut mbeten tanimë tek Presidenca Sllovene e BE. Derisa këto shpresa të bëhen realitet situata mbetet ende e pandryshuar. Në takimin e Luksemburgut të martën, ministrat e Jashtëm të BE rikonfirmuan rëndësinë strategjike të zgjerimit të BE me anëtarë të rinj si një “investim për paqen, demokracinë dhe stabilitetin”, citon KE.

Vetoja e Bullgarisë për mosmarrëveshjet me Shkupin, një konflikt ky dypalësh, mbajti peng edhe Shqipërinë, pasi Këshilli i BE për Çështjet e Përgjithshme të BE nuk pranoi idenë e ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, edhe pse kësaj here të gjitha vendet anëtare të BE ishin dakord se Shqipëria i ka plotësuar kushtet ose përndryshe kriterin e meritës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë