Futboll

Champions/ Teuta dhe Prishtina për…paraqitje dinjitoze, Shkëndija ka ende shpresë

Luhen sot ndeshjet e kthimit të turit të parë eliminator të Ligës së Kampionëve dhe në fushë do të jenë tri skuadra shqiptare: Teuta kampione e Shqipërisë, Prishtina kampione e Kosovës dhe Shkëndija e Tetovës kampione e Maqedonisë së Veriut. Pas rezultateve të ndeshjeve të para, vetëm kjo e fundit ka shpresa për kualifikim.

Teuta u mund thellë, 0-4, në “Niko Dovana” një javë më parë. Një rezultat që nuk lë vend për shpresë dhe objektivi i durrsakëve do të jetë një paraqitje sa më dinjitoze në fushën e Sherif Tiraspolit. Trajneri Martini pritet të luajë me të njëjtin formacion, me përjashtim të Bregut të larguar, që mund të zëvendësohet nga Gruda.

Nga ndeshja e pare mes Prishtines dhe Ferencvaroshit. Gazeta Si, 13 korrik 2021

Me të njëjtin objektiv si durrsakët do të zbresë sot në “Fadil Vokrri” edhe Prishtina, që vjen pas humbjes 3-0 në Hungari ndaj Ferencvaroshit të Myrto Uzunit. Kualifikimi është praktikisht i pamundur, edhe pse në futboll mund të ndodhë gjithçka.

Skuadra tjetër shqiptare e Championsit, Shkëndija e Tetovës, gjithashtu e ka humbur ndeshjen e parë, por me rezultatin e ngushtë, 0-1. Tetovarët e drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka luajnë në transfertë me Murën, ekipin kampion të Sllovenisë. Shkëndija është ende në lojë, edhe pse koeficienti i vështirësisë është i lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë