Kosova e konsideron nismën “Ballkani i Hapur”, në kuadër të së cilës, Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandër Vuçiç nënshkruan disa memorandume bashkëpunimi, si një nismë pa vizion dhe ide të Serbisë.
Përmes një reagimi, Qeveria e Kosovës, përpos kësaj thotë se nuk ka qenë e ftuar zyrtarisht për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Shkupit.
“Qëndrimet për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur minis-shengen tashmë janë të njohur. Nisma e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi mini-shengen është nismë pa vizion për rajonin”, thuhet në një reagim të Qeverisë së Kosovës për Radio Europa e Lirë.
Qeveria e Kosovës thotë se në vend të mini-shengenit ka propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal në CEFTA dhe SEFTA, si modele më të drejta dhe nga të cilat do të përfitonin në mënyrë të barabartë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Në Forumin Ekonomik të Shkupit, ku u prezantua edhe emri i ri i nismës, nga Shengen Ballkanik në “Ballkan i Hapur, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev u ka bërë thirrje të gjithë liderëve të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen kësaj nisme.
“Nisma është e hapur për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, andaj i ftojmë dhe i inkurajojmë kolegët tanë që të bashkohen për shkak të popujve tanë. Ne të gjithë jemi Ballkan Perëndimor dhe europian. Ta krijojmë një vizion për zhvillim real për të përfituar të gjithë qytetarët tanë”, tha Zaev.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vazhdimësi ka kundërshtuar nismën e “mini-Shengenit”, pasi sipas tij, rajoni duhet t’i kthehet agjendës së integrimit në Bashkimin Europian dhe jo nismave që sipas Kryeministrit të Kosovës, janë të dëmshme për shqiptarët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje