Politike

Rama: Ç’të keqe ka për Kosovën të na bashkohet? Demokracia dhe liria pa nisma është e vështirë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhvilluan një konference për shtyp pas pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që u mbajt në Shkup ku mori emrin e ri “Open Balkan” (Ballkani i hapur).

Në takimin e tre liderëve të rajonit nuk mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili kundërshtoi nismën e “mini-Shengenit”, duke nënvizuar ndër radhë se ai nuk ishte i ftuar në këtë nismë.

Kryeministri Edi Rama u ndal pak tek ky debat në konferencën për shtyp ku të tre liderët sqaruan benefitet e marrëveshjeve që ata kanë nënshkruar.

“Boll me këtë na ftuan s’na ftuan, ishim në Tiranë të gjashtë vendet për të diskutuar dhe aty diferenca ishte e qartë, disa duan disa nuk duan, nuk ka problem. Por ajo që thashë aty e përsëris këtu autostradat hekurudhat lëvizja e lire e mallrave mbase nuk janë e njëjta gjë me demokracinë, por demokraci dhe liri pa këto është shumë e vështirë të kesh dhe ta kesh të pacënuar, kështu që bashkohem me bindjen se politika më e mirë është bashkëpunimi afrimi ekonomia, rinia…”, tha Rama.

Gjatë konferencës, Rama solli një rast konkret që lidhej me tërmetin dhe ndihmën që dhanë vendet e rajonit.

“Kur në nëntorin e 2019, ra tërmeti në Shqipëri ishin forcat e kërkim-shpëtimit të vendeve të rajonit, forcat e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë që na erdhën në ndihmë. Çfarë kuptuam ne nga kjo? Që bashkë jemi më të fortë. Dhe sot ne kemi firmosur një marrëveshje për të qenë bashkë, ku larg qoftë secili nga vendet përballet me një situatë të rëndë. Çfarë të keqe do të kishte për Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën që të bashkoheshin në këtë nismë. Kjo nismë hap rrugën që forcat tona të emergjencave të ndërveprojnë së bashku, të stërviten së bashku hera-herës, të kenë një sistem të përbashkët alarmi e bashkë të gjenden aty ku duhet për të ndihmuar

Apo në rastin kur për shkak të gjithë ndryshimeve klimatike apo për shkak të veprimeve kriminale sipërfaqe të tëra pyjesh digjen, ku është e keqja që helikopterët e vendeve tona të gjenden aty të gjithë bashkë?

Ky është shpirti i kësaj nisme dhe nuk dua të flas më shumë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë