Politike

“Ballkani i Hapur”, Basha: Takime të padobishme për fotografi e protagonizëm

Lulzim Basha i cilësoi si të padobishme takimet e Ramës, Vuçiçit dhe Zaevit në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.

“Në atë takim nuk e di se çfarë po bëjnë dhe po prodhojnë përveç fotografive. Kanë dëshirë për protagonizëm, dalin e bëjnë fotografi në këto ditë vere të nxehta dhe kjo po kthehet në alibi dhe ngecje në vend të objektivave që duhet të ketë secili nga shtetet në rajon. Të na kursejnë një film të parë e të stërparë, që nuk po prodhon gjë për qytetarët”, tha Basha.

Ai thotë se Partia Demokratike mbështet heqjen e barrierave komunikuese mes qytetarëve në Ballkan, por deklaroi se më shumë se për këtë qëllim, në takimet mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut po shitet protagonizëm.

“Duhet t’i japim fund hipokrizisë, lehtësimi i lëvizjes së lirë është një përparësi një synim dhe kërkesë e të gjitha proceseve ku janë të përfshira vendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh ai.

Kreu i PD priti në një takim kryetarin e Komunës së Bojanocit. Basha thotë se opozita mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa detyrë e parë për këtë të fundit tha se duhet të jetë njohja e Kosovës.

“Partia Demokratike e mbështet dialogun por nuk kemi lënë asnjë dilemë për përfundimin e këtij dialogu. Ne jemi të lumtur që SHBA dhe BE janë të qartë sa i përket këtij objektivi”, vijoi Basha.

Kreu i PD akuzoi Kryeministrin Rama se në këto takime nuk po ngre as shqetësimet që kanë shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“E gjithë zona e luginës së Presheves ka vetëm një institucion shëndetësor. Nuk ka një mjek të vetëm shqiptar. Përkundër kësaj situate dhe sfidave të qytetarë ka heshtje dhe mosveprim nga qeveria e Tiranës. Nuk e di sa kohë i ka kushtuar Edi Rama këtij problemi kur flet me mikun e tij Vuçiç, por në qoftë se i ka kushtuar pak kohë e ka mbajtur të fshehtë mjaft mirë”, deklaroi Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë