Ish-kryeministri Sali Berisha i shpallur “non grata” nga DASH reagoi ndaj deklaratës së Ambasadores amerikane Yuri Kim pas takimit me Lulzim Bashën.
“Sot ambasadorja e SHBA Yuri Kim, me një deklaratë fyese për çdo demokrat dhe shqiptar duke iu përmendur barin, në dhunim flagrant të misionit te saj, i kërkoi Kryetarit të PD që Sali Berisha të mos futet në parlamentin e ardhshëm. Lidhur me këto deklaroj sa vijon:
Asnjë shpifje, trillim apo sajim nuk mund të pengojë kurrë Sali Berishën të përmbushë misionin e tij të besuar nga zgjedhësit shqiptar në mbrojtje të interesit kombëtar dhe publik të shqiptarëve”, shkruan Berisha në Facebook.
Më tej ai nënvizon: “Që nga data 19 maj 2021 dhe deri sot pas vendimit te Sekretarit Blinken, të bazuar në lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe George Soros, armik i demokracisë së shqiptarëve dhe shpifjet e tyre, unë i kam kërkuar dhe i kërkoj Sekretarit Blinken të publikojë çdo fakt, dokument apo prove që ai ose kushdo tjetër mbi tokë disponon për të faktuar ato që ka shkruar në vendimin e tij. Por deri sot nuk është publikuar asnjë provë dokument apo fakt vetëm e vetëm se ato nuk ekzistojnë. Për të gjitha këto unë kam njoftuar se kam paditur Sekretarin Blinken për shpifje në Gjykatën Korreksionale të Parisit”.
“Deri sot Departamenti i Shtetit me zëdhënësin e tij ka informuar se Sekretari Blinken vendimin e ka të bazuar në raporte të NGO lokale, rajonale dhe ndërkombëtare, raportet e mediave dhe raportet investigative antikorrupsion të qeverisë shqiptare.
Domethënë vendimi i Sekretarit Blinken është bazuar në raportet e armiqëve të mi, NGO të kontrolluara nga George Soros dhe raportet e mediave të kontrolluara nga qeveria dhe raportet sekrete te Edvin Rames të pa publikuara kurrë në Shqipëri.
Duke shprehur bindjen se vendimi është një abuzim i pastër me ligjin e Kongresit të SHBA, përdorimin e tij si armë kundër kundërshtarëve politik të multimilardierit George Soros dhe mikut të tij të ngushtë Edi Rama, unë pavarësisht nga këto përsëri ftoj Sekretarin Blinken t’i bëj gjithçka publike”, shkruan Berisha.
Ish-kryetari i PD-së propozoi gjithashtu që në Kuvend në shtator të votohet ligji për vettingun e politikanëve.
“Unë dua t’i rikujtoj Zonjës ambasadore se ke gabuar rëndë me barin që iu përmende demokratëve. Në këtë kontekst shprehja juaj se PD nuk mund të hajë bar është një fyerje për çdo demokrat dhe për çdo shqiptar të cilët citate të ngjashme i kanë dëgjuar vetëm në diktaturë apo nga raciste albanofobë.
Së fundi, nuk e di nëse takimi i sotëm i Zj ambasadore Kim ka ndonjë nxitje nga denoncimi im i marrëveshjes se dyshimtë që u njoftua se u arrit në prani dhe me nxitjen tuaj midis Kryetares se KLGJ, Llagami dhe Institut East West që sipas burimeve amerikane drejtohet nga Delina Fico. Duke ju kërkuar mundësisht të bëni transparente këtë marrëveshje ju siguroj se sikundër deri sot do të denoncoj çdo aferë të dyshimtë nga cilido dhe pa asnjë hezitim.
Shqiptarët janë njerëz të lirë dhe me dinjitet që nuk meritojnë bar por transparencë!”, e mbyll reagimin Berisha
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje