Pas takimit të saj të parë, më pak së një orë, me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha qysh prej zgjedhjeve të 25 Prillit, Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim u shfaq më pak e qeshur sesa hyri në seli
Deklarata e saj për mediat pas takimit tregoi shumëçka mbi mënyrën se si biseda është zhvilluar për çështjen më delikate të PD-së në raport me SHBA shpalljen “non grata” të Sali Berishës.
Një qëndrim të cilën ajo e bëri publik edhe në prononcimin për mediat.
Pa marrë pyetje, ajo e la të kuptohej qartë se PD nuk mund të izolohet, teksa solli ndërmend një metaforë që përdorej rëndom gjatë kohës së komunizmit (deklaratë e Ramiza Alisë) se “edhe bar do hamë dhe dorën armikut nuk do ia shtrijmë”
Ambasadorja Kim e ka modifikuar këtë shprehje, për t’i kujtuar Lulzim Bashës se PD-ja nuk mund t’i kthehet asaj kohe për të cilën dikur ajo kontribuoi aq shumë për ta nxjerrë nga sistemi.
“…. Dua të nënvizoj dhe njëherë rëndësinë që ndërsa krerët e partive do të futen në Kuvend, është e rëndësishme që të mund të shoqërohen nga deputetë që e meritojnë vërtet besimin e Shqipërisë.
Do të jetë e rëndësishme që PD të mendojë për këtë çështje.
Siç e përmenda më parë, PD ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga diktatura, nga komunizmi.
Do ishte ironi historike dhe po aq tragjike për këtë vend dhe jo vetëm për partinë që partia do duhej të hante bar për hir të një deputeti të saj.
Në fakt shpresa jonë është që partitë të vazhdojnë përpara dhe bashkëpunimi ynë do të vazhdojë të ecë përpara.
Për këtë arsye ka vendime të vështira përpara për të gjithë. Shpresoj që njerëzit të kenë mundësi të çlodhen në muajin gusht dhe të kthehen të freskët por dhe të përtërirë për ato që ka e ardhmja”, tha ambasadorja Kim.
Ambasadorja amerikane ka ruajtur edhe petkun diplomatik teksa nënvizoi se biseda e saj me Bashën ishte një diskutim shumë i mirë sa i përket marrëdhënieve Shqipëri-SHBA.
“Pata një diskutim shumë të mirë me kryetarin e PD Lulzim Basha sot, ishte në vijim të takimit që kemi pasur kur Ndihmës Sekretari i Shtetit në Detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Ambasadori Philip T. Reeker ishte në Tiranë.
Folëm për forcën e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA dhe rolin e rëndësishëm që PD ka luajtur në vendosjen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri si dhe për rëndësinë që Shqipëria të vazhdojë të qëndrojë në rrugën e saj për në BE.
Është padyshim fakti që roli i PD ka qenë dhe është i pazëvendësueshëm dhe është po aq mirë që PD do të kthehet në Kuvend në shtator.
Gjithashtu kuptojmë që partia dhe të tjerë në fakt kanë shqetësime në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit, por që gjithashtu këto shqetësime janë pasqyruar në raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet. Gjithashtu do të jetë e rëndësishme dhe e domosdoshme që kjo gjë të bëhet në mënyrë domethënëse dhe gjithashtu SHBA-të do vazhdojnë të mbështesin këto përpjekje për demokracinë në Shqipëri”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje