Futboll

Sinqeriteti i Jorginhos: Skandal nëse fitoj unë Topin e Artë para Messit

Paraqitjet me Italinë në finalet e Euro2020 dhe fitorja e Ligës së Kampionëve me Chelsea-n e kanë futur emrin e Jorginho-s në listën e pretendentëve për të fituar Topin e Artë këtë vit.

Por, vetë futbollisti brazilian i natyralizuar si italian bie dakord se “nëse ai do ta fitonte këtë trofe para Lionel Messi-t do të ishte një skandal”.

Ky është zbulimi që bën Antonio Cassano. Ish-sulmuesi i Barit, Romës, Realit, Milanit dhe Interit thotë se Jorginho ka mbështetur mendimin e tij se emri i vetëm që duhet të fitojë Topin e Artë për këtë vit është ai i Lionel Messi-t.

“E mban mend kur të thashë se çdo gazetari që voton për Jorginho-n për Topin e Artë i duhet hequr licenca?”, pyet Cassano në rrjetet sociale mikun e tij, Bobo Vieri.

“Epo ja, isha në Formentera ulur me familje, kur ndjeva një dorë në supe dhe një zë që më thotë: Antonio, je i madh! U ktheva dhe e pyeta se kush ishte. Hoqi maskën dhe syzet dhe ishte Jorginho. I thashë, Jorgi, a mund ta besosh çfarë skandali do të ishte nëse do të të jepnin ty Topin e Artë dhe jo Messit? Ai ra dakord me mua, që në çdo rrethanë Messi duhet ta fitojë këtë trofe”, sqaron Cassano.

Ish-sulmuesi italian thotë se pas një bisede prej rreth 90 minutash me mesfushorin e admiron atë akoma më shumë. “Është një djalë fantastik, inteligjent dhe i përulur”, tregon ai.

Por çfarë ka thënë publikisht Jorginho në lidhje me Topin e Artë.

“Të gjithë kemi ëndrra, por për të qenë i ndershëm, varet se çfarë kriteresh do të përdoren për dhënien e çmimit. Si mund të krahasohem unë me Messin, Neymar, apo Cristiano Ronaldon?”, ka deklaruar ai për Sky Sport.

Përveç Messit dhe Jorginho, kandidatët e tjerë për Topin e Artë janë Robert Leëandoëski, N’Golo Kante, Cristiano Ronaldo, Romelu Lukaku dhe Kylian Mbappe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë