Bota

Izraeli do të fillojë vaksinimin në shkolla

Izraeli ka njoftuar se do të ofrojë mundësinë e vaksinimit nëpër shkolla, duke hedhur poshtë mundësinë e vazhdimit të mësimit online.

“Nxënësit do të vaksinohen në mjediset e shkollës gjatë orarit mësimor mirëpo vetëm nëse për imunizimin e tyre pajtohen prindërit”, tha në një deklaratë të Qeverisë së Izraelit.

Autoritetet izraelite thonë se po përpiqen të shmangin mbylljen e shkollave.

Rastet e reja me koronavirus kanë shënuar rritje në Izrael pavarësisht një fushate disa muajshe të vaksinimit. Ministria e Shëndetësisë e Izraelit tha të hënën se janë regjistruar 6.467 raste të reja me COVID-19 dhe 1.142 persona janë të shtruar në spital.

Në Izrael rreth 30 për qind e fëmijëve të moshës 12-15 vjeç kanë marrë dy doza të vaksinës. Kjo shifër është shumë më e ulët se çdo grupmoshë tjetër.

Ministrja e Arsimit, Yifat Shasha-Biton ka deklaruar se “fillimi i vitit shkollor është thelbësor për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë psikologjike të nxënësve”.

Vala e re e të infektuarve e ka detyruar Qeverinë të miratojë masa të reja kufizimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë