Bota

Polonia ndërton një mur anti-emigrantësh në kufi me Bjellorusinë (Foto)

Polonia ka filluar të ndërtojë një mur anti-emigrantësh në kufirin me Bjellorusinë. Gardhi dy metra e gjysmë i lartë do të ketë të njëjtat karakteristika si ai i ndërtuar nga Hungaria në kufirin me Serbinë në vitin 2015, tha ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak.

Blaszczak foli gjithashtu për një angazhim më të madh të ushtrisë – e cila tashmë do të vendosë 900 ushtarë përkrah rojeve kufitare, përgjatë 400 km të kufirit – në zonë.

Në atë kufi, i shënuar tani me tela me gjemba – denoncon Polonia – shumë emigrantë aziatikë dhe të Lindjes së Mesme po mbërrijnë, duke bërë presion edhe në Lituani dhe Letoni.

Sipas Varshavës, rreth 1,935 njerëz u përpoqën të hynin në territorin e saj javën e kaluar: 1,175 u kthyen prapa dhe 760 përfunduan në qendrat polake të emigrantëve.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ndërhyri në përpjekjen për të lehtësuar vuajtjet e tyre dhe vendosi deri më 15 shtator një sërë “masash urgjente” në Varshavë, në veçanti për të furnizuar grupin me ushqim, ujë, rroba, mjekim adekuat kujdes, dhe nëse është e mundur strehim të përkohshëm. Megjithatë, GJEDNJ ka specifikuar se kjo kërkesë nuk kërkon që vendi t’i lejojë këta njerëz të hyjnë në territor.

Një masë e ngjashme u mor edhe për një grup prej 41 irakianësh me origjinë kurde të bllokuar në kufirin midis Lituanisë dhe Bjellorusisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë