Ish-Presidenti i Republikës Bujar Nishani, i larguar tashmë edhe nga detyra e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së shkruan në Facebook se me njohjen e parlamentit nga Basha, ai po e kthen PD-në aty, kokëulur dhe me turp.
“L. Basha dje e njohu edhe zyrtarisht Parlamentin që doli pas masakrës elektorale dhe po e kthen PD kokëulur e të rrënuar në atë parlament të turpit, ekzaktësisht atje ku e dorëzoi 2 vite më parë, në shkurtin e 2019.
Edi Ramën Kryeministër, PS në maxhorancë solide me 74 + 3 mandate, demokratët të nëpërkëmbur, dhunuar e varfëruar edhe më shumë akoma.
Sot, pas rikthimit të grupit parlamentar të PD, dy vite pas, në të njëjtin Parlament turpi, dominuar nga produkti i krimit elektoral dhe krimi i rrugës, ka dalë në dritën e diellit qëllimi dhe misioni i vërtetë i L. Bashës me atë kurth ku e futi Partinë Demokratike, dy vite më parë.
Për ta kuptuar atë mision mjafton të shohësh se si E. Rama jo vetëm e mori plotësisht në kontroll Parlamentin por mundësoi shndërrimin e Kushtetutës së vendit si një statut të Partisë Socialiste, kthimin e Kodit Zgjedhor si një manual të Këshillit të Ministrave, sistemin e drejtësisë në një mjet shantazhi politik, shtetin shqiptar në një karikaturë fyese.
Kjo dhuratë për Edi Ramën do t’i kushtojë politikisht PD dhe të djathtës politike në Shqipëri në 50 vitet e ardhshme (nqs nuk do të mundësohet një uragan politik popullor)”.
Duke iu referuar fjalës së Bashës mbajtur në mbledhjen e Këshillit, Nishani komenton se kryetari i PD-së hoqi dore edhe nga protestat kur foli për “pakicë të korruptuar”
“Koha dhe proceset vijuese do të shpjegojnë për shqiptarë se përse L. Basha kryen këtë mision.
Amnistia politike që L. Basha tenton ti bëjë regjimit të Edi Ramës është e pafuqishme, si politikisht ashtu dhe moralisht, por padyshim diskretituese për të personalisht.
L. Basha nuk le rast pa treguar se nuk ka asnjë interes për ta bërë PD një Shtëpi të madhe të Lirisë, përpos për ta poseduar atë veç si një zyrë personale.
Pasi shpiku një Këshill Kombëtar me 500 anëtar, kontradikta më absurde në logjikë politike, (ndërsa anëtarësia zvogëlohet, numrat në institucione përfaqësuese rriten), konstaton me trishtim se si nga lista e kandidatëve për Këshillin Kombëtar u lanë jashtë atij akademikë, drejtues të suksesshëm të strukturave lokale, persona me influencë e integritet në komunitete”, vëren ai.
“Kurrë, në këto 30 vite të pluralizmit politik në Shqipëri, vijon Nishani, nuk ka pasur rast kur një kryetar opozite pas 8 vitesh të jetë kaq i diskretituar e kaq i pambështetur në opinion sa ç’është L. Basha”.
“Ndoshta ky nuk është një problem për L. Bashën, por është problem i madh për Partinë Demokratike, është kërcënim për sistemin politik të vendit, është problem për Shqipërinë.
Duhet zgjidhur. S’ka alternativë!”, shkruan Nishani
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje