Ne fillim të mbledhjes së paralajmëruar të Këshillit Kombëtar ku mori pjesë edhe Sali Berisha, kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se opozitën e presin beteja të reja.
“…Masakra zgjedhore nuk u dha asnjë zgjidhje qytetarëve. Problemet e tyre nuk janë më të vogla, por më të mëdha, nevoja e tyre për një jetë të më të mirë nuk është përmbushur, por kërcënohet nga i njëjti model që shkaktoi varfërimin dhe largimin e më e të paktën 500 mijë shqiptarëve.
Prandaj, përballë zgjidhjes së munguar dhe ndryshimit të mohuar përmes atyre mjeteve që ju i njihni më mirë se kushdo tjetër, ne kemi përgjegjësinë për të luftuar për njerëzit e këtij vendi, për të qenë pranë tyre për problemet e vogla e të mëdha të familjeve shqiptare, për të kapërcyer bashkarisht vështirësitë dhe për të qenë zëri i tyre përballë çdo padrejtësie”, tha ai para anëtarëve të Këshillit Kombëtar.
“Detyra e secilit prej nesh, vijoi ai, është të bëhemi zëri i qytetarëve”
“Mos harroni se edhe kur kishim kundër nesh të gjithë shtetin, oligarkët, krimin e organizuar, ne, të gjithë bashkë arritëm t’u japim shqiptarëve shpresë.
Prandaj duhet të luftojmë me gjithë forcën tonë për ta mbajtur gjallë këtë shpresë dhe të jemi krenarë për atë cfarë kemi arritur, pa përdorur asnjë mjet të paligjshëm, pa blerë vota, pa shantazhuar njerëzit, pa u ndotur me krimin dhe llumin e shoqërisë, siç ka bërë kundërshtari ynë, por vetëm me forcën e besimit tonë, duke mishëruar vlerat për të cilat kjo Parti ka lindur dhe jeton.
Ndaj mbajeni kokën lart. Mos lejoni që jermi antiopozitar që ka për qëllim goditjen e Partisë Demokratike si të vetmen shpresë për njerëzit e këtij vendi, të jetë më i fortë se bindja e secilit prej nesh se modeli që kemi zgjedhor, autoriteti moral që kemi fituar, nuk buron nga muskujt e krimit, nga paratë e koncesioneve apo nga shkrirja e partisë me shtetin.
Por nga besimi që ne kemi te vlerat tona, falë të cilave kemi qëndruar edhe në ditët më të errëta të këtyre tre dekadave, pa u thyer, pa u lodhur, pa e humbur vullnetin për të luftuar për Shqipërinë dhe shqiptarët”.
Basha tha se mbledhja e Këshillit shënonte fazën e parë të reformimit të brendshëm
Ekipi i ri, sipas tij, ka detyrën të çojë përpara betejën për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend.
“Kemi mbi supe një sfidë që nuk është thjesht partiake, apo opozitare, por kombëtare. Ajo për clirimin e zgjedhjeve dhe thyerjes së zinxhirëve të krimit, oligarkisë dhe të shtetit të shkrirë me to, që po shtrëngon eshtrat e drobitura të një Shqipërie që kërkon shpëtim.
Kjo është një sfidë që kërkon pak fjalë dhe shumë punë, pak retorikë dhe shumë politikë të ngritur mbi idetë tona, idetë e themeluesve tanë që e ndërtuan këtë parti në antipod me cdo gjë që përfaqësonte regjimin totalitar, e që sot më shumë se kurrë duhet të shërbejnë si ylli ynë Polar”, vijoi ai.
Basha përsëriti se nga zgjedhjet e 25 Prillit, PD doli me e fortë dhe më e bashkuar.
“Ne dolëm më të fortë dhe më të bashkuar.
Kështu që mos lejoni të hidhet poshtë mundi i demokratëve, mos lejoni të hedhin poshtë mundin tuaj, mos lejoni që e keqja të relativizohet, por le të punojmë fort, me vetëdijen se të gjithë bashkë kemi mundësuar një arritje të madhe pa pasur asnjë pushtet, të vetëdijshëm gjithashtu se i kemi të gjitha mjetet e nevojshme për ta zhbërë këtë padrejtësi që nuk i është bërë vetëm demokratëve, por mbarë shqiptarëve.
Vëllezër dhe motra, ajo që na pret është një përballje e gjithanshme me regjimin.
Të gjithë e dimë që masakra e 25 prillit vetëm sa e thelloi krizën politike, ndërsa kundërshtari që kemi përballë, është zhytur edhe më thellë në bashkëpunimin e tij me krimin dhe oligarkët, të cilëve tani duhet t’iu paguaj haraçin për shërbimet që ata i bënë në shkatërrimin e zgjedhjeve.
Kjo përballje do të zhvillohet në cdo fushë të jetës politike dhe shoqërore, brenda dhe jashtë parlamentit, në mbrojtje të gjithckaje që kërcënohet nga kjo pakicë e korruptuar” tha ai.
Vetëm në fund të fjalës, Basha foli më konkretisht.
“Sikurse kam theksuar në Kuvendin Kombëtar, për të zhbërë kapjen e shtetit nga korrupsioni dhe krimi dhe për t’ua kthyer institucionet dhe të drejtën për të vendosur qytetarëve, ne do të ndërtojmë në bashkëpunim me të gjitha grupet shoqërore që duan një ndryshim cilësor të jetës politike dhe ekonomike në vend, Platformën qytetare për demokracinë.
Është tashmë e qartë që ndryshimet kushtetuese të 2008-ës nuk i përshtaten më nevojës ulëritëse të shoqërisë shqiptare për më shumë demokraci, për kontrollin dhe balancën e pushteteve, ndaj për t’i dhënë fund kapjes së shtetit, duhen ndryshime rrënjësore që duhet të vijnë si një reflektim dhe veprim i përbashkët i Partisë Demokratike dhe intelektualëve, studentëve, pedagogëve, sipërmarrësve, artistëve, gazetarëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë një demokraci funksionale”, tha ai.
Por cfarë konkretisht nënkupton Basha me ndryshime kushtetuese? “Duhet ta bëjmë me dhe për shqiptarët që kërkojnë zgjedhje të lira, ndryshime kushtetuese dhe ligjore që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor.
Që mundësojnë ushtrimin e demokracisë së drejtpërdrejtë nëpërmjet referendumeve lokale dhe kombëtare, propozime për çlirimin e ekonomisë nga oligarkët dhe modelit të dështuar ekonomik që po i marrin frymën sipërmarrjes së ndershme, për lirinë dhe pavarësinë e medias, për shkëputjen përfundimtare të politikës nga krimi, ndryshime që e bëjnë shoqërinë realisht demokratike”.
Sipas tij, hapja, modernizimi i vazhdueshëm dhe qarkullimi i elitave brenda Partisë Demokratike duhet të jenë pjesë e përditshme e përpjekjeve të opozitës.
“Kjo kërkon angazhimin e secilit prej nesh në zgjerimin e formacionit tonë politik me përfshirjen e të gjitha grupimeve shoqërore, e të rinjve dhe të rejave, e çdo individi që beson tek demokracia, që beson tek liria dhe tek e ardhmja europiane e vendit tonë.
Nuk ka për të qenë e lehtë, por jam i bindur që askujt nuk i mungon guximi për të luftuar, për të mos u dorëzuar, për ta çuar deri në fund përballjen me regjimin”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje