Me 79 vota pro dhe 4 kundër, Lindita Nikolla është zyrtarisht kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Nikolla mori 74 vota të PS, 3 të PSD, ndërsa LSI tha se 4 deputetët e saj ishin kundër. Votën në kuti e hodhi kryetari i PBDNJ Vangjel Dule dhe Nusret Avdullait i PDIU, por që të dy në listat e PD-së në 25 prill dhe që mendohet të kenë votuar pro Nikollës. Ndërkohë, deputetët demokratë, në shenjë proteste, i kanë grisur fletët e tyre të votimit duke i hedhur në tokë. Mes deputetëve që i kanë grisur fletët e votimit ka qenë edhe kreu demokrat, Lulzim Basha. Të ndarë nga demokratët, kanë qenë aleatët opozitarë të LSI-së, të cilët nuk i janë bashkuar grisjes së fletëve të votimit.
Momenti i zgjedhjes së Nikollës, është shoqëruar me ovacione nga socialistët. Në momentin e marrjes së detyrës, kryeministri Edi Rama e ka përqafuar për ta uruar ndërsa socialistët e tjerë janë ngritur në këmbë duke duartrokitur.
Rezultati nuk është pritur mirë nga demokratët, të cilët pasi i bien për disa sekonda tavolinave në mënyrë që të pengojnë fjalimin e Nikollës, largohen nga Kuvendi.
Opozita është larguar nga salla e Kuvendit, duke lënë aty vetëm mazhoracën qeverisëse. Në votim morën pjesë 137 deputetë, ndërsa nuk morën pjesë 3 deputetë.
Kryetarja e re e Kuvendit, theksoi se pakica dhe shumica do të jenë vetëm shifra për të, ndërsa shtoi se maxhoranca nuk duhet të sillet si triumfatore dhe opozitarët të mos ndihen humbës.
Nikolla vlerësoi rolin e rëndësishëm të opozitës në një shtet demokratik dhe premtoi se do të jetë në anën e tyre sa herë ta kërkojë e drejta.
“Jam para jush, para popullit e zgjedhur për të qenë mes të barabartëve në Kuvendin e Shqipërisë, prandaj edhe fjalët do t’i kursej sa të mundem sot që kohën t’ja lëmë punës”.
Nikolla shtoi se respektimi dhe zbatimi i Kushtetutës, “kanë qenë përherë të rëndësishme për mua, sot bëhen një përgjegjësi edhe më e lartë. Kjo përgjegjësi dhe ky përkushtim janë sot aleatët e mi, – vijoi ajo. – Për të drejtuar sot punën tonë me debat dhe jo grindje”.
Nikolla tha se ky Kuvend është rezultat i votës së lirë të qytetarëve që prodhuan një mazhorancë të qartë.
“Por shifrat dhe faktet post zgjedhore nuk do të jenë aspak ylli i karvanit në detyrën që po marr përsipër. Për mua shumicën nga pakica do ta dallojnë vetëm numrat. Të gjithë do të ndihen të barabartë. Ne jemi individë me pikëpamje të ndryshme dhe të kundërta”.
Sipas saj, politika duhet të japë një model për shoqërinë dhe qytetarët. “Partitë opozitare nuk duhet të ndihen as të humbura as të dështuara. Opozita është një mundësi për të kontrolluar shërbyesit publikë. Dua të theksoj se opozita do të ketë hapësira të plota. Nëse ju kolegë do të ndiheni të penguar unë, do të jem në krahun tuaj sa herë ta kërkojë e drejta. Nuk mund të pretendojmë se e duam Shqipërinë nëse nuk duam njëri-tjetrin”, shpjegoi kryetarja e re e Kuvendit.
Në seancën e dytë parlamentare të zhvilluar në orën 17:00 u betua edhe ish-lideri demokrat Sali Berisha. Pas betimit, ish-lideri Berisha u largua nga seanca. Pas Berishës, u larguan edhe Tritan Shehu, Edi Paloka dhe Flamur Noka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)

















Lini një Përgjigje