Bota

Tragjedia në Tetovë, jep dorëheqjen ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut

Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe, ka njoftuar se i ka propozuar kryeministrit Zoran Zaev dorëheqjen nga detyra, për shkak të zjarrit që përfshiu spitalin e Tetovës.

Dorëheqja e tij vjen pas tre dorëheqjeve paraprake pasditen e të premtes, atë të dy drejtorëve të spitalit të Tetovës dhe zëvendësit të tij, Ilir Hasani.

Edhe Filipçe, si kolegët e tij që dhanë dorëheqjen, e justifikon atë me përgjegjësitë morale që mban si ministër për tragjedinë ndodhi në spitalin e Tetovës.

Dy ditë më parë, në spitalin e Tetovës humbën jetën 14 pacientë të shtruar me Covid-19 në një strukturë modulare, si shkak i rënies së zjarrit në objekt.

Prokuroria ka nisur hetimet për ngjarjen e rëndë, ndërsa deri më tani dyshohet se zjarrin e shkaktoi shpërthimi i një bombole oksigjeni.

Edhe pse viktimat nuk janë identifikuar ende, mediat në maqedoni raportojnë se një pjesë e tyre dyshohet se janë me origjinë shqiptare.

Qeveria shpalli tre ditë zie kombëtare për tragjedinë në Tetovë, ndërsa prokuroria ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë