Grupi për Partinë Demokratike thotë se vendimi i Lulzim Bashës për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i kësaj partie bie ndesh me statutin dhe pjesë e vendimeve antidemokratike të marra prej kryetarit Basha prej vitit 2017.
Përmes një deklarate të shpërndarë në media, ky akuzon Bashën për pazare personale me Edi Ramën dhe se po përdor termin “masakër zgjedhore” si alibi për humbjen dhe për të mbuluar këto pazare.
“Lulzim Basha është përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit 2021 nëpërmjet pazareve dhe marrëveshjeve fitimprurëse me Edi Ramën, për përfitim personal. “Masakra zgjedhore” ishte alibia e radhës për të mbuluar këto pazare”, thotë deklarata.
Grupi kërkon rithemelim të partisë dhe kërkon që për të ardhmen e saj të vendosë anëtarësia, duke nënkuptuar mbështetjen për atë që Sali Berisha e cilëson referendum.
“Për këto arsye dhe shumë të tjera, Partia Demokratike duhet të ringrihet dhe reformohet si një parti e djathtë bashkëkohore, me një projekt të ri të bazuar në idealet e themelimit të saj. PD-ja e marrë peng duhet t’u kthehet demokratëve dhe anëtarësia e saj e gjerë dhe e pandikuar, e pakushtëzuar, duhet të vendosë mbi të ardhmen e saj”, vijon deklarata.
Nga ku nis ringritja e themelimi?
“Dorëheqja ose largimi i Lulzim Bashës nga pozitat e Kryetarit në detyrë duhet të jetë akti i parë dhe i menjëhershëm drejt këtij reformimi. Krijimi i një Këshilli Drejtues të përkohshëm, kthimi i votës dhe i mendimit të lirë në parti, si dhe ringritja e të gjitha forumeve të PDSH-së nëpërmjet zgjedhjeve të lira, janë të domosdoshme për ringritjen e Partisë dhe kthimin e besimit. Reformimi i PD-së do të vijë nga bashkimi i të gjithë kontributeve dhe vlerave ndër vite, konkurrenca e lirë dhe meritokracia në Parti. Ne vlerësojmë se Shqipëria ka më tepër se kurrë nevojë për një opozitë të fortë, të pakapur dhe të pandikuar dhe kjo bëhet vetëm me hapjen e Partisë dhe kthimin e institucionit të votës së lirë”, mbyllet deklarata.
Grupi për PD u themelua pas zgjedhjeve të 25 prillit me anëtarë kundërshtarët e Lulzim Bashës brenda Partisë Demokratike, si Bujar Nishani, Arben Imami, Edith Harxhi, Arben Ristani, Edvin Kulluri, Ibsen Elezi, Endira Bushati, Bislim Ahmetaj e Indrit Hoxha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje