Politike

Berisha nis turin me bazën, Meta në Kushtetuese! Dy mesazhet e Yuri Kim

Ambasadorja Yuri Kim përcolli këtë të enjte dy mesazhe përmes rrjeteve sociale. Thelbi i të parit ishte apeli drejtuar shqiptarëve që të shkëputen nga “fantazmat”, i dyti thirrja drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të dhënë vendime me integritet.

Përveç rëndësisë së këtyre mesazheve të përcjella nga Kim, peshë të fortë merr momenti i zgjedhur për dhënien e këtyre mesazheve. Në mesazhin e parë, Kim tha se është koha që shqiptarët të shkëputen nga tranzicioni.

“Koha për të zgjedhur sërish: ndryshimin, apo stanjacionin? Luftën për brezat e ardhshëm, apo mbrojtja e fantazmave? E ardhmja, apo e shkuara? Le të shikojmë nga e ardhmja. SHBA dhe Shqipëria do të shkojnë së bashku në këtë drejtim”, shkroi Kim.

Cilat janë “fantazmat” që flet Yuri Kim? Kush përfaqëson të shkuarën dhe kush të ardhmen? Kush është ndryshimi, e kush stanjacioni? Përgjigjen për këto pyetje e di më mirë se kushdo vetë Ambasadorja Amerikane, por në mesazhet e përcjella sidomos në drejtim të opozitës, Kim i ka bërë thirrje vazhdimisht Partisë Demokratike në muajt e fundit që të shkëputet nga e shkuara, duke nënkuptuar ish-Kryeministrin, Sali Berisha i shpallur “non grata” nga SHBA.

Edhe momenti i përcjelljes së këtij mesazhi përforcon idenë se kjo thirrrje adresohet pikërisht për Berishën. Kim shkroi në ditën që ish-Kryeministri nisi turin e takimeve me bazën e Partisë Demokratike në përpjekje për të rrëzuar vendimin e Lulzim Bashës që e përjashtoi nga grupi parlamentar. Berisha e cilëson këtë vendim si nul dhe u ka bërë thirrje demokratëve që t’i bashkohen në nismën e tij “për referendum dhe rikthimin e sovranitetit të PD-së”.

Mesazhi i dytë i Ambasadores u dha pas një takimi me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë është rikthyer në detyrë pas pushimeve të verës dhe në tryezë ka disa vendime, dy prej të cilave mjaft të ndjeshme.

Vendimi i parë lidhet me vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të 2019-s, ndërsa vendimi i dytë lidhet me fatin e Presidentit Ilir Meta, ku në Kushtetuese është raporti i Kuvendit të kaluar dhe vendimi i shkarkimit që u mor më vonë. Fjalën e fundit për këtë e ka pikërisht Gjykata Kushtetuese.

Në postimin e saj, Kim nuk përmend çështje konkrete, por thotë se është kritike që ky institucion të marrë vendime “me integritet e pavarësi”.

“Kritike për Kushtetuesen që të vazhdojë të japë gjykime me integritet dhe pavarësi, në përputhje me betimin e tyre në detyrë. Ne jemi duke punuar me institucionet përkatëse kështu që Gjykata Kushtetuese do të ketë anëtarësim të plotë”, shkruan Ambasadorja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë