Kuvendi pezulloi dy herë seancën të enjten mbasdite kur ishte parashikuar debati për programin qeverisës pas disa qëndrimeve të ndryshme të grupit parlamentar të PD-së një herë se kërkonin kryeministrin Rama të ishte i pranishëm në debat e herën tjetër se do mblidheshin gjatë në sallë për të zhvilluar mbledhje grupi.
Pavarësisht kakofonisë, PD kishte një qëllim; Të pengonte në cdo formë vijimin e seancës me qëllim që në sallë të vinte kryeministri Edi Rama, i cili kishte lajmëruar përmes zyrës së tij se do të vinte në seancë në orën 17.00.
Vetëm atëherë do të fliste edhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i cili më herët refuzoi disa herë që të merrte fjalën, kur Lindita Nikolla ia kërkoi si i pari debatues që kishte shënuar emrin në listë nga opozita.

Situata filloi të normalizohej para orës 18,00 kur Jorida Tabaku u përfshi në seancën normale të punimeve, teksa mbajti fjalën rreth programit qeverisës.
Vetëm pak minuta më pas, atëherë kur Sali Berisha filloi takimin me bazën në një nga sallat e Hotel “Rogner”, Edi Rama u shfaq në seancë.
“Kur mora mesazhin nga kryetarja që ju kishit ngritur çështjen që të jem i pranishëm gjatë fjalës së kryetarit të PD thashë që do vij.
Prandaj ja ku jam, i gatshëm ta dëgjoj kryetarin e PD dhe i qëndroj 100% të gjitha atyre që thashë sot. Unë nuk kam asnjë detyrim kushtetues dhe ligjor dhe normativ që të qëndroj këtu kur mendoni ju dhe për aq kohë sa mendoni ju. Unë ju thashë do të jem në orën 5, por ju bllokuar foltoren, unë u detyrova që të pres që ju ti hapni rrugë arsyes dhe ja ku më keni”, tha Rama, duke i hapur rrugë fjalës së kryetarit të opozitës, Lulzim Basha.
Basha
Ndërsa Lulzim Basha mbante fjalën në Kuvend, në një tjetër ambient e takim po fliste ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Berisha kishte ngritur tonet, ndërsa Basha mbajti një fjalim me tone të qeta duke ftuar qytetarët për zgjidhje politike
“Demokracia shqiptare nuk është në krizë, ajo ka vdekur! Ka vdekur në shtyllat e saj kryesore, në themelin e saj që janë zgjedhjet e lira.
Nuk vdiq për shkaqe natyrore, packa se sëmundja e saj ishte e rëndë dhe e gjatë.
Demokracia është vrarë”, e filloi fjalën e tij Basha. Kryetari i PD u ndal më pas tek pandemia dhe borxhi publik.
“Ndërsa Banka Botërore thekson se e ke renditur Shqipërinë në krah të vendeve afrikane për numrin e mjekëve për banorë dhe se qytetarët kanë pagesa maksimale nga xhepi, duke hedhur në koshin e plehrave gënjeshtrën e shëndetësisë falas.
Dhe kur pandemia trokiti në derë, qytetarët hynë në borxhe për të shpëtuar jetët e tyre për shkak të një pushteti që dha mbështetjen më të ulët ekonomike në Europë. Këtë nuk e them unë, por Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Borxhi publik ka dalë nga binarët, duke kërcënuar të ardhmen e brezave. E gjete në 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Erdhe në pushtet duke bërtitur e duke cituar Luigj Gurakuqin “a ka ma keq se me la borxh me borxh”.
Premtove se do ta ulje borxhin dhe e çove mbi 80%, më të lartin në rajon”, vijoi ai.
Basha foli për dështim në reformën në arsim, reformën territoriale dhe u ndal gjatë tek zgjedhjet, që sipas tij, janë blerë.

Ndryshe nga mazhoranca Basha tha se opozita ofroi në zgjedhje një program konkret dhe luajti ndershëm.
“…Vendi ndodhet në një udhëkryq mes të shkuarës dhe të ardhmes. Për ne zgjedhja është e qartë, për ne zgjedhja është dhe do të jetë gjithmonë vetëm ajo që është e mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët..”, tha ai
Kundrejt nismës për Ballkanin e Hapur, Basha tha se në këto procese Shqipëria duhet të ketë vetëm një detyrë, të mbështesë Kosovën.
Më tej Basha u përqendrua tek mesazhi politik.
“Që Shqipëria të dalë nga ky udhëkryq, që shqiptarët të shpëtojnë nga armiqtë e qeverisjes së mirë, kërkohet një zgjidhje politike.
Natyrisht ajo nuk mund të vijë vetëm nga ne, as nga ai që i ka shpallur luftë demokracisë dhe bashkëjetesës demokratike, por duhet të vijë si një bashkëpunim i ngushtë me shoqërinë shqiptare, që prej kohësh ka shprehur dëshirën e ngutshme për ndryshim.
Prandaj ne, në Parlament dhe jashtë tij, nuk do të jemi vetëm gardianët e interesit publik kundër kësaj skote të korruptuar, por duam të jemi instrumenti në duart e qytetarëve për ta realizuar bashkë këtë ndryshim.
Ne i kemi marrë mësimet tona nga gabimet e të shkuarës, i kemi hapur dyert tona për këdo që kërkon të kontribuojë për përmirësimin e jetës politike të vendit. Sado të pakënaqur dhe të mërzitur me politikën apo me ne, për cfarë nuk kemi bërë apo për cfarë mund të bëjmë më mirë, sado të largëta t’i kemi pikëpamjet, fati i një shoqërie ngrihet mbi bashkëpunimin forcave të saj të gjalla dhe politikës”, tha Basha.
“Përpara se të jetë një mision partiak, i yni është një mision patriotik.
Dhe kthimi i demokracisë dhe legjitimitetit në Shqipëri është një kushtrim në këtë stinë të re që ka trokitur në dyert e politikës shqiptare, ku asgjë nuk ka për të qenë më si më pare.
Ndaj sot, nga kjo foltore dua të përsëris këtë ftesë në emër të Partisë Demokratike për mbarë shoqërinë shqiptare, për intelektualët, studentët, pedagogët, sipërmarrësit, artistët, gazetarët, profesionistët, të rinjtë e të rejat për të ndërtuar bashkarisht një platformë për rikthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend do të jetë guri i themelit i një aleance të sinqertë dhe jetike për t’iu kundërvënë partisë-shtet, të lidhur me krimin, korrupsionin dhe oligarkinë”.
Basha i mëshoi në këtë drejtim ndryshimeve kushtetuese.
”Për ndryshime kushtetuese që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, për platforma që clirojnë ekonominë nga oligarkët dhe garantojnë garën dhe konkurencën, për shkëputjen përfundimtare të politikës nga krimin, duke i dhënë fund damkës së pashlyeshme që ka marrë përsipër kjo pakicë.
E pasi të kemi forcuar bashkëpunimin tonë dhe t’i kemi dhënë zë dhe jetë propozimeve të shoqërisë, do të jetë detyra jonë që t’i sjellim në këtë sallë, ku me forcën që na dhanë qytetarët në 25 prill dhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, do të luftojmë për t’i bërë realitet në shërbim të cdo shqiptari”.
Me tej ai shtoi: “Në momente të vështira të historisë, shprehjet më fisnike të angazhimit kanë qenë përherë zgjedhjet e guximshme, të cilat kanë krijuar mundësi që deri në një moment më parë dukeshin të pamundura, të paarsyeshme.
Gjithmonë ka ekzituar një hapësirë midis qytetarëve dhe partive, për shkak të pakënaqësive, zhgënjimeve apo antipative të reja apo të vjetra.
Në disa momente kjo hapësirë është si një hendek i madh, shpesh herë për shkak të partisë që nuk reflekton mjaftueshëm shoqërinë. Ndërsa në momente të tjera kjo hapësirë është vetëm një hap larg, sepse qytetarët dhe partitë shohin mundësinë e ndryshimit nëpërmjet njëri-tjetrit”.

Në fund të fjalës së Bashës reagoi edhe kryeministri Edi Rama. “Prisja më shumë po sinqerisht si mund të vihet të flitet në emër të opozitës me një fjalim që është copy paste nga fjalimet e fushatës, përsëritje që mund të jetë dhe shkak i stresit, por nuk është kjo koha që unë të përgjigjem deri në fund. Ke boll kumrie kështu që këtu unë ndalem”, tha ai, duke lënë më pas sallën
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje