Bota

Vrasja e 10 civilëve në Kabul, SHBA pranon gabimin në sulmin me dron

Pentagoni pranoi se sulmi me dron në Kabul pak para tërheqjes së trupave amerikane, goditi një makinë të gabuar dhe vrau 10 civilë të pafajshëm.

Gjenerali Kenneth McKenzie, i Komandës Qendrore të SHBA-ve, ka folur për një “gabim tragjik”, duke ofruar ngushëllimet e tij më të thella për familjet e viktimave. Shtatë nga 10 të vdekurit ishin fëmijë.

Pavarësisht dyshimeve që u shfaqën në mediat amerikane dhe ankesave të familjeve të viktimave, deri më tani Pentagoni kishte mbrojtur ‘goditjen’ e drejtuar më 29 gusht kundër një “kërcënimi të afërt”, duke deklaruar se ishin sulmues vetëvrasës të drejtuar për në aeroportin e Kabulit.

Pas disa javësh, zbardhet dhe e vërteta: është “e pamundur”, shpjegon Komanda, që automjeti i goditur dhe njerëzit në bord, “ishin të lidhur me Isis-K ose një kërcënim të drejtpërdrejtë për forcat amerikane”. Shoferi ishte një punonjës i një organizate humanitare amerikane prej shumë kohësh.

“Ky sulm, u nis me besimin e fortë se do të pengonte një kërcënim të afërt për forcat tona dhe evakuuesit në aeroport, por ishte një gabim dhe unë kërkoj falje të sinqerta”, – tha McKenzie.

Siç raportohet nga CNN, gjenerali mori kështu “përgjegjësinë e plotë për incidentin”. Javët e fundit, Pentagoni kishte raportuar vdekjen e të paktën një ndërmjetësi të ISIS-K dhe tre civilëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë