Politike

Berisha thërret demokratët në Vlorë: Të mblidhemi për një PD më të bashkuar

Në mesin e debatit të nxehtë nëse do të ketë apo jo Kuvend Kombëtar apo ngjarjet që do të rrjedhin nga përplasja e hapur dhe publike mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, ish-kryetari i demokratëve ka lajmëruar se të shtunën do të jetë në një takim në Vlorë.  

“Ditën e shtunë me datë 25 shtator në ora 18:00 në Pallatin e Kulturës në Vlorë do mbahet “Foltorja: Për një Parti Demokratike me të bashkuar, më të fortë, më të hapur”.

Ftoj demokratet dhe demokratët e Vlorës të marrin pjesë. Vetëm të bashkuar fitojmë!”, shkruan Berisha në Facebook.

Sali Berisha ka lajmëruar se do të mbledhë 1500 firma aq sa e kërkon statuti për të mbledhur Kuvendin Kombëtar, por nuk ka specifikuar qartë se për çfarë vendimi do ta mbledhë, duke e ndryshuar disa herë objektin e diskutimit.

Ndërkohë mbështetës të tij e kanë thënë qartë se ky do të jetë fillimi për shkarkimin e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit. Vetë Berisha e etiketon atë si ish-kryetar.

 Por Basha është shprehur në anën tjetër se nuk do të ketë Kuvend Kombëtar dhe se vendimi për Berishën nuk ka kthim pas.

“Kuvendi do mblidhet për të shpëtuar PD nga pazaret e Bashës me Edi Ramën dhe për t’u rikthyer dinjitetin dhe shpresën demokratëve pas 4 humbjesh radhazi përballë regjimit më të korruptuar dhe inkriminuar të Europës.

PD nuk i duhet një lider i kapur peng që bën pazar me Ramën dhe shpall ‘non grata’ bazën e partisë i tmerruar prej saj”, ka reaguar Berisha pas qëndrimit të Bashës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë