Lulzim Basha është i bindur se e ka mbështetjen e shumicës së bazës së Partisë Demokratike dhe mospërballjen me Sali Berishën me anëtarësinë e partisë nënkuptoi se nuk është frikë prej ish-kryetarit e ish-eprorit të tij në qeverisje, por një zgjedhje tjetër.
“Nga sondazhet e mia, 95 për qind e demokratëve duan të udhëheq betejën ndaj Rama-Doshi-Rakipi, e të udhëheq betejën për të dalë nga llumi i trazicionit. Kam dalë më shumë se çdo kryetar i PD në këtë 30 vite e do dal përsëri. Unë nuk jam nga ata që shfrytëzoj momente të tilla për të bërë garë se kush e ka autokolonën më të gjatë e kush i mbush sallat më shumë, se e di që ajo është një garë e lehtë për mua. Nuk dua ta vendos zotin Berisha në një pozitë inferioriteti”, tha kreu i PD-së gjatë konferencës për shtyp të dhënë këtë të mërkurë, ku mbrojti tre amendimet kushtetuese të propozuara nga PD.
Mes amendimeve është edhe nisma për vetting politik. Kjo, tha Basha, pastron “llumin” e tranzicionit nga të gjitha anët e politikës. Një pjesë të “llumit” të qeverisjes së PD-së i identifikoi, pavarësisht se sërish nuk foli me emra.
“Pronarët e mediave i dinë, Edi Rama i di, shqiptarët i dinë. Shihni kush është graduar, pasuruar pasi kemi lënë pushtetin në 2013 dhe do të shikoni që një pjesë e mirë prej tyre, është graduar e pasuruar sepse ka vendosur që sakrificën e demokratëve e ka përdorur për t’u pasuruar. Kanë bashkëpunuar haptazi me Edi Ramën. I njohin demokratët dhe ua dinë bëmat, pazaret dhe intrigat”, tha Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje